Arbëri

Byroja Kosovare e punësimeve familjare

Byroja Kosovare e Sigurimeve

Ndryshime në organizimin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve kanë ndodhur me të ardhur në krye të këtij institucioni si drejtor Sami Mazreku. Por, sikur edhe nën udhëheqjen e ish-drejtorit Gani Thaçi, janë avancuar familjarë të këtij të fundit, duke u vënë në krye të departamenteve. Gjithashtu janë punësuar edhe disa anëtarë të një familjeje. Për të gjitha këto ndryshime, përgjigje konkrete nuk ka kthyer Byroja, e ka heshtur Banka Qendrore e Kosovës.

Pa shumë bujë, brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve kanë ndodhur shumë ndryshime prej ardhjes në krye të këtij institucioni të Sami Mazrekut, që paraprakisht kishte udhëhequr Shoqatën e Sigurimeve.

Si rezultat i fuzionimit të disa prej departamenteve, disa drejtorë kanë mbetur pa punë.

Një prej tyre është edhe Faton Pacolli, i cili deri para një muaji ka udhëhequr me Departamentin për Sigurim Kufitar.

Me t’u bashkuar ky departament me atë të Kartonit të Gjelbër e të MOU-së, Pacollit nuk iu vazhdua kontrata e punës, pa ndonjë arsyetim.

“E kam marrë një e-mail zyrtarisht prej Administratës së Byrosë Kosovare të Sigurimit, që prej 1 prillit të vitit 2021 nuk më vazhdohet kontrata, në atë e-mail nuk ceket asnjë arsye juridike se pse nuk është vazhduar kjo kontratë. Mendoj që gjithçka që është vepruar në raport me mua, respektivisht me pozitën time, është kundërligjore. Në BKS kanë ndodhur disa ndryshime të departamenteve, mua më është thënë nga drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku, se janë bërë disa fuzionime të departamenteve edhe Departamenti i Sigurimit Kufitar ka kaluar në Departamentin e Kartonit të Gjelbër dhe gjegjësisht ish-drejtoresha e Kartonit të Gjelbër sa ka qenë është bërë edhe drejtoreshë e Sigurimit Kufitar, Edona Ahmeti”, ka thënë ai për KOHËN.

Në krye të departamentit të cilin Faton Pacollli e udhëhoqi deri në prill të këtij viti, tani të bashkuar edhe me dy departamente të tjera është emëruar e reja e Gani Thaçit, që ndër vite kishte mbajtur disa pozita të larta brenda këtij institucioni, përfshirë atë të drejtorit të Byrosë.

Edona Ahmeti tani është drejtoreshë e tri departamenteve: Kartonit të Gjelbër, MOU-së e Sigurimit Kufitar, avancim ky nga udhëheqëse e njërit prej tyre.

E kontaktuar nga televizioni lidhur me përgjegjësitë që ka marrë, Ahmeti ka refuzuar të përgjigjet.

“Më vjen keq për pyetje të tilla që po më drejtohesh mua. Nëse të intereson çështja për pikë apo çfarëdo qoftë, mundeni me iu drejtu zyrtarisht Byrosë, e jo me më thirrë personalisht”, ka thënë ajo.

E reja e Thaçit nuk është e vetmja.

Donjeta Cakolli, motra e gruas së Leutrim Thaçit, djalit të Gani Thaçit, është risistemuar si zyrtare e lartë për regrese të dëmeve.

Pyetjet e bëra për ngritjen në detyrë i ka konsideruar të tepërta.

“Skam nevojë me u deklaru për këtë temë prapë”, ka thënë ajo.

Televizioni ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e departamentit juridik ku punon Cakolli, Faik Sylejmani, po ashtu i afërt me Gani Thaçin, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Sylejmani është djali i gjyqtares së Supremes, Gyltene Sylejmanit.

Nga riorganizimi i bërë nga drejtori i sapoemëruar i Byrosë, Sami Mazreku, kanë përfituar edhe mjeku Sejdullah Mahmuti e familjarët e tij.

Mahmuti, ndaj të cilit më 2019 është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, në BKS ka të punësuar 4 familjarë. Që të gjithë të akomoduar në pikat kufitare.

Djali i tij, Henor Mahmuti, është emëruar si shef i sektorit MOU, që udhëhiqet nga reja e Gani Thaçit. Ky sektor merret me memorandume bashkëpunimi dhe sigurime kufitare.

Vëllai i Sejdullah Mahmutit, Selamiu, është emëruar operator në pikën kufitare në Muqibabë, derisa djali i tij, Artani, operator në Stanqiq, e vajza, Agnesa, koordinatore e pikës kufitare në Stanqiq.

KOHA ka vënë kontakt me Sejdullah Mahmutin, por i njëjti ka gjetur arsyetime të ndryshme për të mos dhënë përgjigje në interesimin e televizionit për punësimet e familjarëve.

“Nuk jam duke të dëgju mirë, se jam jashtë në natyrë ...”, ka thënë fillimisht ai. E, pas një minute, e ka ndryshuar lokacionin... “Zonjë jam në gjykaë, të lutem thirr më vonë...”

Tentimet e mëvonshme për ta kontaktuar kanë qenë të pasuksesshme.

Derisa Agnesa Ismajli ka kërkuar që për pozitën e saj pyetjet të drejtohen në Byro.

“Në Byro mundeni me u drejtu për gjithçka që keni për pozitën tem jo tek unë. Kaq. Faleminderit”, është shprehur ajo.

Të pyetur për riorganizimin e bërë, nga Byroja Kosovare e Sigurimeve kanë thënë se procesi ende nuk ka përfunduar dhe se për këto emërime duhet miratimi i BQK-së, për ç’gjë kanë treguar se është bërë kërkesë në këtë institucion.

Në përgjigjen me shkrim, BKS-ja ka përmendur se nuk financohet nga buxheti i shtetit dhe se buxheti i tyre është i mbushur nga kompanitë e sigurimit që janë anëtare të Byrosë.

“Lidhur me pyetjet e juaja, të parashtruara si më poshtë, ju njoftojmë se procesi i emërimit të zyrtarëve në detyrat e drejtorëve të departamenteve të Byrosë Kosovare të Sigurimit ende nuk ka përfunduar. Emërimi i zyrtarëve në detyrë dhe marrja e miratimeve përkatëse për emërimet nga Banka Qendrore e Kosovës si institucion rregullues dhe mbikëqyrës i Byrosë Kosovare të Sigurimit është proces i brendshëm i institucionit. Byroja Kosovare e Sigurimit, si institucion i themeluar me Ligjin Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, është organizatë profesionale me cilësinë e personit juridik, e themeluar për qëllime joprofitabile. Qeveria e Republikës së Kosovës ia njeh këtij institucioni statusin e Byrosë Nacionale të Sigurimit me të drejta të pakufizuara në cilësi të Byrosë pagesë dhe Byrosë trajtuese, e cila miraton dhe zbaton në tërësi vendimet përmes të cilave organizon funksionimin dhe rregullimin e saj. Ndërkaq, ju njoftojmë se Byroja Kosovare e Sigurimit nuk është agjenci shtetërore e as lloj tjetër i organizatës buxhetore dhe nuk financohet nga fondet publike të buxhetit të Republikës së Kosovës, por se financimi i buxhetit të institucionit bëhet nga kompanitë e sigurimit anëtare të Byrosë Kosovare të Sigurimit, të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës, për ofrimin e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL), si subjekte juridike të themeluara me kapital privat”, thuhet në përgjigjen e BKS-së.

Por, nga BKS-ja nuk kanë dhënë detaje se cilat pozita kanë qenë të lira, pozita këto të cilat duhej të zëvendësoheshin me persona të tjerë, e as për numrin e tyre.

Televizioni ka tentuar të bjerë në kontakt edhe me drejtorin, Sami Mazreku, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

E mënyra e vlerësimit të pranueshmësisë së personave të propozuar për pozita të rëndësishme në Byro është e rregulluar me Rregulloren për Standardet e Raportimit dhe të Mbikëqyrjes së BKS-së.

Sipas kësaj rregulloreje, Byroja është e obliguar që t’i dorëzojë në BQK dokumentet për vlerësim të pranueshmërisë.

“Me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë dhe përshtatshmërisë së personave të propozuar për pozita të rëndësishme, Byroja është e obliguar t’i dorëzojë në BQK dokumentet si në vijim: biografitë e të gjithë personave të propozuar, raportet e kompletuara të gjendjes financiare dhe burimeve financiare për personat e propozuar. Raportimin në lidhje me personat e propozuar dhe punësimin e tyre të kaluar në çfarëdo kompanie të falimentuar dhe raportimi në ligje me dosjet penale të këtyre personave, deklarata për konflikt interesash, deklarata për konfidencialitet”, thuhet në nenin 14 të Rregullores së BQK-së.

Sipas rregullores, pozitat të cilat konsiderohen të rëndësishme, e që duhet të licencohen paraprakisht, janë: drejtori i BKS-së, drejtorët e departamenteve, censorët, trajtuesit e dëmeve, juristët e të tjerë.

“BQK, pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit të kërkuar nga paragrafi i këtij neni, do të nxjerrë vendim për aprovim apo refuzim të personave të propozuar për pozita të rëndësishme në Byro brenda 30 ditësh nga pranimi i kërkesës. Për qëllim të këtij neni, ‘pozitat e rëndësishme’ konsiderohen pozitat si në vijim: anëtarët e Këshillit Administrativ, me përjashtim të anëtarit pa të drejtë vote të emëruar nga BQK-ja, drejtori ekzekutiv, drejtorët e departamenteve, përfshirë auditorin e brendshëm, koordinatorët, censorët, trajtuesit e dëmeve dhe juristët. Përveç personave nga paragrafi paraprak i këtij neni, BQK, nëse e sheh të nevojshme, do të kërkojë aprovimin nga ana e saj edhe të personave tjerë të propozuar për pozita të tjera në BYRO”, thuhet në Rregullore.

Përgjigje lidhur me procesin e licencimit të personave të propozuar në pozitat e caktuara televizioni nuk ka marrë as nga Banka Qendrore e Kosovës, në pyetjet e dërguara më shumë se një javë më herët.