Specialja

Byrnes: Misioni ynë K-DOM nuk u kushtonte fort rëndësi komunikatave të UÇK-së

“Me aq sa më kujtohet, ne nuk u kushtonim shumë rëndësi. Mbase kemi bërë gabim. Unë e shihja atë më shumë si një aspekt të marrëdhënies me publikun, i cili për misionin tonë ishte informacion me pak vlerë. I lexonim, por nuk u kushtonim rëndësi”, ka thënë Byrnes në ditën e katërt të dëshmisë në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Ish-diplomati nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shaun Byrnes, ka thënë se misioni të cilin ai e ka udhëhequr gjatë kohës së luftës në Kosovë, K-DOM, nuk u ka kushtuar shumë rëndësi komunikatave që i ka lëshuar asokohe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në ditën e katërt të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në kuadër të rastit të ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Byrnes u është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të trupit gjykues dhe atyre të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.

“Me aq sa më kujtohet, ne nuk u kushtonim shumë rëndësi. Mbase kemi bërë gabim. Unë e shihja atë më shumë si një aspekt të marrëdhënies me publikun, i cili për misionin tonë ishte informacion me pak vlerë. I lexonim, por nuk u kushtonim rëndësi”, ka thënë dëshmitari.

Luka Mishetiq, avokati i Hashim Thaçit, ka lexuar gjatë seancës të së enjtes një kabllogram të shkruar nga Byrnes lidhur me një tentim-përpjekje për pajtim në mes të UÇK-së dhe Lidhjes Demokratike (LDK).

“Në një përpjekje për të lënë anash LPK-në, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së është munduar që në heshtje të pajtohet me Bukoshin, në veçanti që të përfitojnë mbështetje financiare nga ai dhe gjithashtu po punon në mënyrë diskrete që të krijojë ura me LDK-në, edhe me Rugovën dhe me forca të tjera politike shqiptare të Kosovës. Zyrtarët e LDK-së në disa fshatra janë edhe oficerë të UÇK-së”, ka lexuar Mishetiqi.

E dëshmitari Byrnes ka përmendur edhe një bisedë që e ka pasur me Thaçin lidhur me Adem Demaçin dhe me rolin e tij si përfaqësues politik i UÇK-së.

“Unë komentin e Thaçit e kam kuptuar drejt, kur tha se Demaçi luan rol të vogël politikisht dhe se nuk duhet t’u kushtonim shumë rëndësi komenteve politike që bënte ai”, ka thënë Byrnes.

Byrnesi do ta vazhdojë dëshminë e tij gjatë javës e ardhshme, në rastin në të cilin Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi akuzohen për krime lufte.

Byrnes ka udhëhequr Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara (KDOM) gjatë vitit 1998-99. KDOM-i ishte formuar pas një kompromisi mes ish-presidentit të Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, dhe atij të Federatës Ruse, Boris Yeltsin, në qershor të vitit 1998, me ç’rast qeveria jugosllave u pati pajtuar për praninë e një misioni të pavarur mbikëqyrës për të ofruar fakte nga terreni rreth zhvillimeve të asaj kohe në Kosovë dhe ishte pararendës i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili udhëhiqej nga William Walkeri. Zyrat KDOM-i i ka pasur në Fushë-Kosovë dhe ka funksionuar në kuadër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd.