Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara i njohur si KDOM dhe diplomati, Shaun Byrnes, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara në Hagë se Jakup Krasniqi i ishte prezantuar si zëdhënës. Këtë e tha tek u përgjigjej pyetjeve të mbrojtësit të Krasniqit, avokatit Aidan Ellis.
“Lidhur me një pyetje që e bëri gjyqtari (Guénawl Mettraux) më 28 mars...ju pyeti se a jeni në dijeni që z. Krasniqi krahas rolit të tij si zëdhënës ishte emëruar edhe zëvendëskomandant për shërbimet mbështetëse në Shtabin e Përgjithshëm. Ju u përgjigjët: jo nuk kam pasur dijeni për këtë. A është e vërtetë që gjatë të gjithë bisedave që keni pasur me z. Krasniqi ai asnjëherë nuk ju ka thënë se ka qenë zëvendëskomandant i shërbimeve mbështetëse”, pyeti Ellis.
Dëshmitari u përgjigj me “jo”.
Ndërsa avokati i Kransiqit e pyeti nëse gjithmonë i është prezantuar si zëdhënës, dëshmitari pohoi. Pyetje po ashtu i ka parashtruar edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. Dëshmitari e ka konfirmuar një deklaratë paraprake ku kishte deklaruar se nuk kishte ndonjë informatë për vendndodhjen e Veselit gjatë luftës, por se kishte dëgjuar se ai ishte në Shqipëri. Emmerson ia prezantoi në vulë në pasaportën e Veselit, ku dëshmitari tha se duket e besueshme se Veseli ka qenë edhe në Zvicër gjatë luftës.
Byrnes ka përmbyllur dëshminë e tij të mërkurën.
Ai ka udhëhequr Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara i njohur si KDOM nga gushti i vitit 1998 deri në korrik të vitit 1999-s.
Ai pati shërbyer edhe në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, në periudhën 1980 - 1984. Ai ka shërbyer për 30 vjet në diplomacinë e SHBA-së.
Ishte dëshmitar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi ku u akuzuan e gjykuan udhëheqës shtetërorë e ushtarakë serbë.
Byrnes ka nisur dëshminë në Speciale të hënën e javës së kaluar.
Katër të akuzuarit e Speciales: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.