Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se kisha ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës është dashur të rrënohet menjëherë pas luftës.
Ai ka theksuar se kjo kishë është ndërtuar në rrethanat më të dhunshme dhe se shteti i Kosovës ka dështuar ta mbrojë identitetin kulturor e historik.
“Kjo kishë është ndërtuar në vitin 1996, është kisha më dhunshëm që është bë në rrethanat e hegjemonizmit ushtarak në Kosovë. Kjo kishë në objektin e Universitetit qëllimisht nuk është mbrojtur, jam i bindur se struktura të caktuara politike të Kosovës duke u mbështetur në dallaveret që kanë bë në Vjenë me Pakon e Ahtisaarit kanë kërkuar që objektet e caktuara të kishës ortodokse të ruhen edhe në Prishtinë, në mënyrë që ta kemi një trinom, kishën katolike-kishën ortodokse-xhaminë. Kjo është antihistorike sepse shteti i Kosovës ka lejuar që në qendër universitare një kishë e dhunshme të legjitimohet”.
Rexha: S'mund të ketë monumente mesjetare serbe, në Mesjetë s'kishte komb serb
Historiani Enver Rexha ka thënë se nuk mund të ketë monumente mesjetare serbe pasi në Mesjetë nuk ka pasur komb serb.
Kështu u shpreh ai derisa ka folur për tendencën e Serbisë që kishat ortodokse serbe t’i regjistrojë në UNESCO si objekte serbe.
“Ka pasur tendenca që të regjistrohen në UNESCO si objekte serbe (v.j. kishat ortodokse serbe), nuk janë regjistruar, janë regjistruar si monumente mesjetare në Kosovë, pasi që ka reaguar shteti ynë me kapacitetet e tij, me UNMIK-un dhe u mbrojt ajo. Tendenca ka qenë që të jenë monumente mesjetare ortodokse serbe, por arritëm që të mbrojmë nga termi ‘serbe’ sepse në Mesjetë edhe nuk ka pasur serbë. Për fat të keq shumë historianë sot në Kosovë e përdorin “Serbia” apo “Perandoria serbe” apo “Cari serb” të cilat nuk ekzistojnë në Mesjetë”, ka thënë ai të mërkurën në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka shtuar se problemi i kishës serbe është i lidhur me shtetin dhe përvetësimi i kësaj trashëgimie nga fqinji verior nuk mund të ndodhë.
“Problemi i kishës serbe është i lidhur me shtetin rregullisht dhe luftërat e fundit janë të bekuara prej kishës ortodokse serbe, ato të treta ballkanike. Problemi është që këta janë të organizuar që ta marrin ta përvetësojnë këtë trashëgimi, që nuk besoj se do ta arrijnë ta realizojnë pasi që edhe faktori ndërkombëtar nuk e ka pranuar që janë vetëm monumente serbe”, ka thënë ai.
Buxhovi: Trazirat e marsit 2004 ishin skenar i Beogradit, Rugova i paralajmëroi
Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se trazirat e marsit 2004 ishin të orkestruara dhe me skenar të Beogradit.
“Nuk kanë qenë të rastit, nuk kanë pikë prej qiellit, por kanë qenë pjesë e një politike të caktuar, një skenari të Beogradit që monumentet, kishat, i ka përdorur për qëllime hegjemoniste”, ka thënë ai.
Buxhovi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova ua pati paralajmëruar autoriteteve ndërkombëtare se po përgatiteshin trazira për destabilizimin e Kosovës, por se ata nuk e kishin marrë parasysh.
“Kam parasysh edhe një dokument të presidentit Rugova, janë dy letra që i janë dërguar të gjitha autoriteteve të atëhershme, KFOR-it, UNMIK-ut por edhe fuqive evropiane. I pari thotë se duhet të kemi kujdes, ishin në përgatitje e sipër të bisedimet të Vjenës, që trashëgimia e krishterë-ortodokse të mos lejohet të përvetësohet nga kisha ortodokse serbe sepse do jetë një element politik për destabilizim të Kosovës. Letra e dytë e Rugovës është pas trazirave, Solana e thërret dhe e merr në përgjegjësi Rugovën se pse jeni kaq i qetë. I thotë që unë nuk kam fuqi së pari dhe e dyta para dy muajsh ju kam njoftuar se po përgatitet një skenar i tillë. Bile thotë se më kanë injoruar dhe u thotë se këtu ky skenar ka pasur qëllim që bisedimet në Vjenë për statusin e Kosovës ta pengojnë sa më shumë shpalljen e Kosovës së pavarur. Rugova e quan puç të përgatitur prej faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, nuk i përjashton edhe faktorë të shërbimeve ushtarake”, ka thënë ai.
Rexha: Trazirat e marsit 2004 e shtynë shpalljen e pavarësisë për 2-3 vjet

Historiani Enver Rexha ka deklaruar se trazirat e marsit të vitit 2004 e kanë shtyrë shpalljen e pavarësisë për së paku dy apo tre vjet.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Rexha ka thënë se burrështetasit e kohës, që kanë qenë aktivë atëkohë, kanë thënë se kjo ngjarje ka penguar procesin e pavarësisë.
“Shteti fqinj dhe që i kemi raportet e acaruara deri më tani, mendoj se do të jepte shumë miliona euro për të arritur rezultat në aspektin e spiunazhit, nuk do të mundte të arrijë atë që e ka bërë shoqëria jonë e orkestruar. Mendoj se ka pasur plan, problemi është edhe politik sepse në atë kohë flitet që ka pasur mundësi që sovraniteti i Kosovës apo shpallja e pavarësisë të vinte më herët. Ka zëra që ajo e ka penguar procesin e pavarësisë, burrështetas të kohës që kanë qenë aktivë në politikë apo institucione që kanë vlerësuar se më herët do të vinte pavarësia, së paku për dy apo tre vjet”, është shprehur ai.