Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se biseda e parë për shpalljen e Kosovës republikë është bërë nga përfaqësuesi serb, Dobrivoje Radosavljeviq, i cili ka qenë kryetar i Komitetit qendror të Serbisë më 1968.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Buxhovi ka thënë se aty janë hapur bisedimet, në të cilat ka marrë pjesë edhe Fadil Hoxha.
“Po dal viti 1968, kishin tendenca të tilla të grupimeve ideologjike, të cilat do të duhej të krijonin pretekste për intervenimin e Moskës. Kishte tendenca dhe grupëzime në Serbi, të cilat edhe sot janë të lidhura me Moskën dhe Lindjen. Titoja e pa si kundërpërgjigje doli me kërkesën që Kosova të ngrihet në nivel të Federatës Jugosllave. Më pas fillon një proces kur Kosovës duhet t’i hapen amendamentet kushtetuese më ‘68 që të ngrihet ajo. Kërkesa për Kosovën republikë është hapur së pari, në bazë të dokumenteve më të reja dhe jugosllave, prej një përfaqësuesi serb, quhet Dobrivoje Radosavljeviq , ka qenë kryetar i Komitetit qendror të Serbisë me ’68 ka thënë se po mund të bëhet Kosova republikë. Aty janë hapur bisedat ku thirret edhe Fadil Hoxha në ato bisedime”, ka thënë ai.
Buxhovi ka shtuar se pas kësaj ka pasur reagim nga Serbia, e cila ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet.
“Serbia ka reaguar menjëherë duke thënë se nuk mund të bëhet. Më 18 gusht më 1968 në Gjakovë Aktivi Politik i Kosovës ka mbajtur mbledhje, ku është lexuar një letër e tyre me tetë kërkesa”, ka theksuar tutje ai.
Sipas historianit Buxhovi, më pas janë hapur bisedime publike për ndryshimin e poztës kushtetuese të Kosovës.
“Kryetar i Komisionit ka qenë Asllan Fazliu, Fadil Hoxha ka qenë mbikëqyrës i përgjithshëm i këtij procesi. Aty është ndalur të përmendet Kosova republikë. Ajo u ndal, por është e rëndësishme të thuhet se profesorët Fehmi Agani dhe Gazmend Zajmi, nëpërmes studentëve të tyre e kanë hapur këtë ide dhe e futën në nivelin e kërkesave të studentëve. Demonstratat e nëntorit që janë mbajtur në Kosovë, kanë qenë të dirigjuara prej elitës intelektuale të profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Për herë të parë aty ka dalë parulla Kosova republikë”, ka thënë ai.
VIDEO: