Arbëri

Bunjaku-Rexhepi: Drejtori i Autoritetit të Konkurrencës shkon me armë në punë, e terrorizon stafin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se drejtori i Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa, shkon çdo ditë me armë në punë të cilën e ka pa leje dhe se sipas saj e terrorizon stafin, duke vazhduar përplasjen të cilën e patën të martën në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Bunjaku-Rexhepi e Beqa u përplasen në mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi, pasi deputetja e LDK-së shtroi disa herë pyetje ndaj Bordit të Autoritetit të Konkurrencës se si Beqa është emëruar në pozitën e drejtorit edhe pse ka qenë i përfshirë në një rrahje dhe ka akuzë të ngritur. Ajo u përplas edhe me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.

Në një intervistë për “60 Minuta” të KTV-së, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se Beqa ka akuzë për rrahje brenda Autoritetit të Konkurrencës, ndërsa shton se ai ka edhe disa padi të tjera.

Ajo ka paralajmëruar organet kompetente ta monitorojnë Autoritetin e Konkurrencës “sa nuk e ka humbur jetën dikush”.

“Ai person shkon me armë në zyrë, pa leje për armëmbajtje. Po i frikësohem ma të keqes që mundet me ndodh në Autoritetin e Konkurrencës. Për mua është e papranueshme që pushteti po mundohet ta arsyetojë një të akuzuar. Ky e terrorizon stafin sa herë që shkon punë”, ka thënë ajo.

Bunjaku-Rexhepi ka theksuar se do të mbledhë nënshkrimet e deputetëve për ta monitoruar ligjin për shërbyesit civilë në Autoritetin e Konkurrencës, dhe “atëherë do ta shihni se sa padrejtësi bëhet në këtë Autoritet”.

Ajo ka deklaruar se Beqa ka vendosur “kamera në çdo cep të Autoritetit të Konkurrencës pa marrë leje nga Bordi dhe i mbikëqyr kamerat vetë ai, ani pse kjo detyrë i takon drejtorit administrativ”.

Për këto akuza, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me organet e hetuesisë nëse e thërrasin.

Deputetja e LDK-së ka thënë se do ta padisë drejtorin e Autoritetit të Konkurrencës për “kërcënim”.
Beqa në mbledhjen e Komisionit i është drejtuar Bunjaku-Rexhepit me fjalët: “Deputete e ke hap Kutinë e Pandorës, ta kesh parasysh. Kemi me i shku deri në fund kësaj pune”. Këto po konsiderohen kërcënim nga deputetja e LDK-së, por ka thënë se nuk ndihet e frikësuar.

LEXO EDHE: