Arbëri

Bullgaria mohon përfshirjen në aleancën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë

Georg Georgiev

Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev, ka mohuar raportimet se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar Deklaratës mbi Forcimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar më 18 mars në Tiranë.

Në një përgjigje me shkrim drejtuar deputetëve bullgarë Xhipo Xhipov dhe Elisaveta Belobradova nga grupi “Vazhdo Ndryshimin – Bullgaria Demokratike”, Georgiev theksoi se informacionet publike që aludojnë për interesim të Bullgarisë janë të pasakta.

Ai shtoi se Ministria e Jashtme bullgare ka marrë një kopje zyrtare të deklaratës përmes një note verbale nga Ambasada e Shqipërisë më 25 mars, por nuk është ftuar zyrtarisht për anëtarësim dhe as nuk është konsultuar në asnjë fazë të nismës.

Deklarata e përbashkët mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe trajnime të përbashkëta ushtarake. Kjo nxiti reagime nga Serbia. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996. Por zyrtarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë mohuar se kjo marrëveshje është e natyrës armiqësore për fqinjët.

Në mars, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, kishte deklaruar se Bullgaria kishte shfaqur interes për nismën. Edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në një deklaratë për “TRT Balkan” gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se Bullgaria do t’i bashkohet kësaj nisme, por deklarata e Georgievit i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Georgievi theksoi se Bullgaria ruan marrëdhënie të shkëlqyera me të tri shtetet dhe ka një kontingjent ushtarak në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Ai refuzoi të komentojë për marrëveshjen dypalëshe të mbrojtjes mes Serbisë dhe Hungarisë, të nënshkruar më 1 prill, duke theksuar se Bullgaria nuk është palë në këtë dokument.