Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se këtë vit është 7-fishuar numri i zyrtarëve publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, krahasuar me vitin e kaluar.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Buleshkaj ka thënë se nga tetë mijë zyrtarë që duhet ta deklarojnë pasurinë, 198 prej tyre nuk e kanë kryer këtë obligim.
Buleshkaj ka njoftuar se zyrtarët që nuk e kryejnë këtë obligim me kohë, do të marrin gjobë prej 30 për qind të pagës së tyre.
“Numri i zyrtarëve të fazës për deklarimin e pasurisë është rreth tetë mijë zyrtarë, ndërsa kanë mbetur pa e kryer edhe rreth 200, thënë më mirë 198. Këta kanë afat shtesë prej dy javësh për ta kryer obligimin, shumica nga ta do ta marrin edhe gjobën mandatore për këtë vonesë që është 30 për qind e pagës së tyre. Nëse dështojnë edhe në afatin e dytë, agjencia të ngrejë kallëzime penale dhe do t’i dërgojë në Prokurorinë e Shtetit. Vitin e kaluar i kemi pasur rreth 30 që nuk e kanë kryer këtë obligim në kohë, ky numër tashmë është 7-fish më shumë”, ka thënë Buleshkaj.
Ai ka shtuar se Policia është institucioni me më shumë zyrtarë që nuk e kanë deklaruar ende pasurinë.
“Policia e Kosovës prin si institucion me numrin më të madh të atyre që nuk e kanë kryer obligimin e deklarimit të pasurisë në kohë”, është shprehur ai.
Sipas Buleshkajt, deri më tani nuk është dënuar askush me burgim efektiv.
“Ka pasur burg me kusht, ka pasur burgim që është transferuar në gjobë, por jo burgim efektiv. Nuk jemi të brengosur shumë me sa dënohen, por që jo të gjitha rastet përfundojnë në gjykata”, ka theksuar ai.