Presidenti i gjashtë i Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ka vdekur të shtunën në moshën 55-vjeçare. Gjatë mandatit si president, prej vitit 2012 deri më 2017, politika e tij ishte orientuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke përmendur mbështetjen e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet multilaterale rajonale dhe ndërkombëtare. Skena politike në Shqipëri e Kosovë e kanë kujtuar si udhëheqës të rrallë me integritet e vizion, burrështetas që përfaqësoi me dinjitet shqiptarët dhe Shqipërinë, ikonë e politikës shqiptare
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, presidenti i gjashtë i Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ka vdekur të shtunën pasdite. Ai ishte 55 vjeç. Prej më shumë se një muaji ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Lajmi fillimisht është konfirmuar nga të afërm e kolegë të tij në rrjetet sociale, të cilët kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të politikanit shqiptar. Familja e Nishanit është ndodhur pranë tij në çastet e fundit. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit shqiptar u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje auto-imune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i ka lënë në organizëm. Fillimisht, Nishani u shtrua në sanatoriumin “Shefqet Ndroqi” dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID e patën lënë me shenja pneumonie në mushkëri. Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe vdiq.
Skena politike në Shqipëri e Kosovë e kanë kujtuar si udhëheqës të rrallë me integritet e vizion, burrështetas që përfaqësoi me dinjitet shqiptarët dhe Shqipërinë, ikonë e politikës shqiptare.
Përkrahësi i Kosovës në arenën ndërkombëtare
Bujar Nishani mandatin presidencial e mori me fillim më 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017. Gjatë mandatit të tij si president, politika e Nishanit ishte orientuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke përmendur mbështetjen e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet multilaterale rajonale dhe ndërkombëtare.
Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurisprudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 u rikthye në profesion të lirë si kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë. Në vitin 1991 Bujar Nishani u anëtarësua në Partinë Demokratike e më 2001 u zgjodh sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën, në vitin 2005, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie. Në korrik të vitit 2005, Nishani u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike. Nga marsi 2007-shtator 2009 mbajti portofolin e ministrit të Brendshëm, nga shtatori 2009-prill 2011 kreu detyrën e ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si ministër i Brendshëm, deri në qershor të vitit 2012, kohë kur Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e kreut të Shtetit në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani u betua në Kuvendin e Shqipërisë si president i Republikës. Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit.
Bujar Nishani ishte bashkëshort i Odeta Nishanit dhe baba i dy fëmijëve, Ersi dhe Fjona Nishani.
Personalitet me vlera të rralla, udhëheqës vizionar
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shkruar se me trishtim dhe hidhërim të thellë mori lajmin e largimit nga jeta të presidentit Bujar Nishani. Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.
“Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe…Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i president Nishanit. Të prehet në paqen e merituar”, ka shkruar Ilir Meta.
Për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Me anë të një postimi shkurt në Facebook, Rama i shpreh ngushëllime familjes. “U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes”, ka shkruar Rama teksa ka postuar foton e Nishanit. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka shprehur të shtunën ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Republikës, i cili sipas saj me përkushtim dhe do të kujtohet e respektohet nga qytetarët.
“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Si president, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur! U prehsh në paqe president Nishani!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Nikolla.
Kryetari i zgjedhur i PD-së, Sali Berisha, në një postim në Facebook, ka shkruar se Nishani ishte “Burrështetasi i shquar” dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.
“Të dashur miq, sot dielli perëndoi përgjithmonë për ish-presidentin Bujar Nishani! Ish-presidenti Bujar Nishani mbylli sytë përgjithmonë duke zhytur kështu në dhimbje, zi e pikëllim të thellë familjen e tij të dashur, miqtë e të afërmit, Partinë Demokratike dhe mbarë Shqipërinë. Ish-presidenti Bujar Nishani ishte ikonë e vlerave me të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit. Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Ndaj sot është ditë zie dhe dhimbje e thellë për familjen e nderuar Nishani që humbën bashkëshortin dhe prindin e tyre të mrekullueshëm e shembullor, për miqtë dhe të afërmit e tij që humbën një mik të dashur që do t’ju mungojë gjithmonë, për Partinë Demokratike që humbi njeriun prej drejtuesve më të talentuar, për shtetin dhe kombin shqiptar që humbën sot shërbëtorin besnik dhe të përkushtuar, shtetarin e aftë e të ndershëm, patriot dhe fisnik”, ka shkruar Berisha.
Ndërsa ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha ka theksuar se sot PD-ja ka humbur një politikan të përkushtuar. Ai ka thënë se kontributin që ka dhënë për PD-në dhe Shqipërinë do ta kujtojë me respekt.
“Trishtues lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të tij. Sot Partia Demokratike ka humbur një politikan të përkushtuar, kontributin e të cilit për të dhe Shqipërinë do ta kujtojë përherë me respekt. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Lulzim Basha.