Shukri Buja, ish-kryetar i Komunës së Lipjanit, për punën në të cilën ka edhe akuzë ka thënë se nuk ka dashur që të rikandidojë për t’u kthyer në krye të kësaj komune, si kandidat i PDK-së.
Në Interaktiv të Kohavisionit ka thënë se ka menduar që më shumë të fokusohet në punët prej deputeti.
Por dega e PDK-së unanimisht e ka nominuar për kryetar komune.
“Dhe rregulli në Partinë Demokratike është që kur ka dy kandidat që shkojnë nga dega vendos kryetari dhe Këshilli Drejtues. Por zakonisht kur ka një kandidat që prej degës shkon me unanimitet atëherë praktika thotë se miratohet nga kryetari dhe nga Këshilli. Kështu që praktikisht i bie që unë jam kandidat i PDK-së për Lipjanin”, ka thënë Buja.
Ani pse ka akuzë, ai ka thënë se kjo nuk e pengon që të kandidohet.
“Akuza ka pasur të shumta. Por vetëm 10 për qind e të akuzuarve në vitin 2016 janë dënuar. Kushtetuta e lejon që të kandidohem, sepse çdokush është i pafajshëm deri sa t’i vërtetohet fajësia. Në aspektin moral është diçka tjetër, por në aspektin moral nuk e ndjej vetën fajtor”, ka thënë ai.
E ka komentuar edhe deklaratën e presidentit Hashim Thaçi, ish-shefit të tij në parti, që ka thënë se nuk duhet lejuar personat nën hetime ose që kanë aktakuza që të kandidohen për pozita të larta shtetërore.
“Thaçi e ka shprehur një dëshirë dhe vullnet të tij, por në aspektin kushtetues dhe ligjor kjo nuk mund të realizohet. Ose duhet të ndryshohen Kushtetuta e ligjet”, ka thënë Buja, teksa ka përmendur listën e gjatë të personave nën hetime e të dënuar që vazhdojnë të mbajnë pozita shtetërore, duke filluar nga shokët e tij në parti si Adem Grabovci, Ramadan Muja, Sami Lushtaku, e deri te kreu i LDK-së Isa Mustafa, për të cilin ka thënë se askush s’po merret me kallëzimet penale që Vetëvendosje ka bërë për të, deri sa ka shprehur habinë edhe për përfundimin e procesit ndaj kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri. Ka thënë gjithashtu, se sipas kësaj logjike kush do të kandidojë prej Vetëvendosjes kur shumica prej tyre janë nën akuzë.
Ai ka thënë se seanca e parë ndaj tij do të mbahet më 28 prill dhe se atij i është konfirmuar aktakuza. Thotë se janë nëntë pikë të akuzës, ndër të cilat ka përmendur disa.
“Akuzohem për rastin e SMS-ëve për dhënie-marrie të ryshfetit dhe rregullimin e veturës së komunës. Një pikë tjetër akuzohem se kam dhënë Laboratorin e Lipjanit për 1 euro qera, ndërsa është gabim sepse kemi marrë objekt për 1 euro qera”, ka shpjeguar ai.
Buja ka shpjeguar edhe akuzat për për shpronësimet dhe paratë e dhëna për klubin e futbollit Ulpiana. Sipas tij, shpronësimet janë bërë nga ekipet profesionale të komunës dhe kryetari vetëm ka nënshkruar dokumentin e dorëzuar nga ky ekip. Ai thotë se kryetari ka pasur në dorë dokumentin vetëm pas dy nënshkrimeve andaj përgjegjësia nuk mund të mbetet e tij.
Sa i përket klubit Ulpiana ai thotë se komuna ka ndarë një shumë prej 75 mijë eurosh vite më parë për klubin për të ndihmuar të dalë nga kriza financiare. Buja shton se nuk ka pasur qëllim të ndihmonte djalin e tij, që atë kohë ishte futbollist i klubit, por kishte plan për Ulpianën si klub.
“Djali im nuk ka qenë kryetar klubi as në kurrgjë, të hollat kanë dalë në klubin e futbollit Ulpiana. Ka qenë lojtar i atij klubit. Është paguar si çdo lojtar tjetër. I vetmi klub që ka bërë pagesat me konto. Dhe i vetmi ka qenë problemi që gjyqtarët nuk kanë pranuar nga konto dhe ne kemi pasur problem nga federata që duhet të nxjerrim para për të paguar gjyqtarët. Shumë klube janë shuar fare, për mospërkrahje financiare. Jemi munduar ta përkrahim dhe një nga politikat ishte të përkrahet Ulpiana. Kryetari i komunës është zyrtari financiar. Sipas njoftimeve, ka pas rregullime të stadiumit”, ka thënë ai.
Ka folur edhe për SMS-ët me biznesmenin Fahri Retkoceri, me ç’rast ka thënë se miku i tij nuk është favorizuar nga kryetari i komunës, por ka marrë lejen për ndërtime nga Kuvendi Komunal.
“Me zotin Retkoceri nuk jam njohur që nga mesazhet, por jemi njoftuar para luftës. Ai ka përfituar nga vendimet e Kuvendit Komunal. Rreth 12 ndërtesa janë pa leje që janë ndërtuar dhe janë në funksion dhe është dëmtuar buxheti komunal, ndërsa ai paguan të gjitha tatimet dhe pagesat tjera me rregull e nuk e dëmton buxhetin. Diçka që është ndërtuar me leje bëhet zhurmë, ndërsa diçka që është e paligjshme nuk diskutohet”, ka shtuar në fund Buja.