Pjesëmarrësi i Konferencës së Rambujesë, Ramë Buja, ka thënë se NATO-ja për herë të parë në historinë e saj e ka anashkaluar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të ndërhyrë në Kosovë.
Buja në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se ky anashkalim ka qenë një mrekulli për Kosovën, pasi siç ka shpjeguar do të mjaftonte vetoja e ndonjë shteti anëtar siç janë Rusia apo Kina, që të pengohej ndërhyrja.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur që veprimet e tilla të NATO-s ta anashkalojnë Këshillin e Sigurimit të OKB-së, sepse atje në mos të kishin kundërshtuar, do të kishin vënë veton dhe kaq do të mjaftonte. Kjo ka ndodhur për herë të parë në historinë 50-vjeçare të jetës së NATO-s. Por kjo u anashkalua dhe u bë mrekullia për ne qytetarët e Kosovës”, ka thënë Buja.
Ai ka folur edhe për ecurinë e Konferencës ku ai ishte pjesëmarrës bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, teksa ka thënë se ishte Madeleine Albright, ish-sekretarja amerikane e shtetit, ajo e cila e kishte shpëtuar ekipin e Kosovës nga nënshkrimi i marrëveshjes pa e menduar mirë.
“Albright ka ardhur kur temperatura është ngritur në konferencë, kur kërkohej me çdo kusht që delegacioni i Kosovës të nënshkruante marrëveshjen, e cila ishte sfiduese për ne, pasi ne kishim punuar gati 20 ditë dhe kur na u kthye drafti, na u kthye gati në pikën zero dhe kryesuesi i delegacionit Thaçi dhe ne të UÇK-së ishim insistues që të marrim 20 ditë kohë që të vinim në Kosovë dhe të diskutonim me komandantët e zonave. Kjo e ngriti temperaturën në konferencë dhe pikërisht kur temperatura shkoi lart, atëherë zonja Albright erdhi në kështjellë. Ne e bindëm atë për të shkuar në dyjavëshin në Kosovë”, ka shpjeguar Buja.
Sipas tij, ishte edhe komandanti suprem i NATO-s atë kohë, Wesley Clark, ai i cili u kishte thënë luftëtarëve të UÇK-së se e urrente Millosheviqin më shumë se vetë ata dhe se donte ta godiste.
“Gjenerali Clark na tha se ju nuk e urreni më shumë se unë Millosheviqin, ma krijoni mundësinë ta godasë dhe kjo mundësia për ta goditur ishte nënshkrimi”, ka thënë Buja.