Merz: Dialogu Prishtinë – Beograd po e mban peng rajonin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos mbeten të bllokuara në të kaluarën, duke paralajmëruar se retorika përçarëse dhe polarizimi nuk ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë evropiane. Sipas Merzit, mosprogresi në dialogun Prishtinë – Beograd po e mban peng të gjithë rajonin, duke bërë thirrje që urgjentisht të ketë përparim.
Në fjalimin hapës të Samitit të Procesit të Berlinit, Merz ka theksuar se, nëse synohet një e ardhme më e mirë për brezat e rinj, vendet e rajonit duhet t’i shmangin gjuhën e urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, duke aluduar te Serbia dhe homazhet e saj për Ratko Mlladiqin.
“Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk mund të na çojnë drejt një Evrope më prosperuese, dhe historia nuk do ta vlerësojë mirë këtë shoqëri në këto kohë komplekse. Në vitin 2008, Procesi i Berlinit refuzoi përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t'i hedhim benzinë atij zjarri, por duhet t'i përmbahemi bazës evropiane. Kjo ka të bëjë edhe me normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë–Beograd, që po pengon përparimin e të gjithëve. Ne inkurajojmë urgjentisht përgjegjësi dhe përparim në këtë drejtim”, ka thënë Merz.
Ai ka shtuar se retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje e vështirësojnë realizimin e përfitimeve që sjell bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian.
Merz ka theksuar se qasja në Bashkimin Evropian është një synim i arritshëm nëse vendet e rajonit janë të vendosura të zbatojnë reformat e nevojshme. Sipas tij, ndryshimi duhet të vijë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa suksesi varet nga bashkëpunimi mes tyre.
Ai ka përmendur përparimin e arritur gjatë 12 vjetëve të Procesit të Berlinit në fushën e lëvizjes së lirë, investimeve, turizmit dhe shërbimeve digjitale, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal.
“Qasja në BE është realiste nëse jeni të vendosur. Ia vlen të bëhen të gjitha përpjekjet. Rajoni është në lëvizje dhe ka mundësi për ndryshim, por ky ndryshim duhet të vijë nga brenda vendit dhe nga brenda rajonit. Kjo është një nga idetë themelore të Procesit të Berlinit: ta sjellë Ballkanin Perëndimor në tryezë, të kërkojë reforma brenda vendeve dhe të nxisë bashkëpunimin ekonomik dhe pajtimin. Ju do të jeni të suksesshëm vetëm nëse punoni së bashku. Për 12 vjet, kemi arritur të avancojmë mobilitetin, investimet, turizmin dhe shërbimet digjitale. Kjo mund të tingëllojë si diçka e vogël, por nuk është e tillë. Kjo do të thotë se një dentist nga Shkupi mund të punojë në Tiranë ose një kompani nga Novi Sadi mund të hapë një degë në një vend tjetër. Pra, një treg i përbashkët rajonal është më i mirë sesa një treg i kufizuar në një vend të vetëm”, ka thënë ai.
Kancelari gjerman ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se procesi kërkon përparim dhe përgjegjësi nga palët.
Ai ka theksuar gjithashtu se dhuna nuk mund të jetë opsion, as në protestat në Bashkimin Evropian dhe as në ato në Ballkanin Perëndimor.
“I shohim protestat në të gjithë rajonin, por edhe përtej tij. Këto protesta na japin një mesazh: duhet të vazhdojmë me procesin e zgjerimit dhe të sigurohemi që qytetarët të përfitojnë prej tij. Më lejoni të jem i sinqertë në dy aspekte. Së pari, kur përballemi me protesta në BE dhe këtu në rajon, dhuna nuk mund të jetë opsion për asnjërën palë. Së dyti, realizimi i të gjitha këtyre përfitimeve është sigurisht i vështirë kur mbetemi të bllokuar në të kaluarën”, vijoi Merz.
Merz ka riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së, duke theksuar se qytetarët duhet të përfitojnë konkretisht nga ky proces, veçanërisht pas idesë për integrim gradual.
Merz: Shpresojmë të diskutojmë për bashkëpunimin e mëtejmë të Ballkanit Perëndimor në BE
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka shprehur përkushtimin e Gjermanisë dhe Austrisë për vazhdimin e Procesit të Berlinit dhe thellimin e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në hyrje të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Budva, Merz ka rikujtuar se kjo nismë u themelua më 2014 nga qeveria gjermane, me synimin për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ky është një format shumë i rëndësishëm për integrimin evropian, Procesi i Berlinit. Kjo nismë u ndërmor nga qeveria gjermane në vitin 2014 dhe shpresojmë që tani të diskutojmë edhe për bashkëpunimin e mëtejmë të këtyre vendeve në BE”, ka thënë Merz.
Ai ka theksuar se Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi, duke përmendur edhe mbështetjen e Austrisë.
“Mund të flas në emër të Gjermanisë, por edhe të Austrisë, për të cilën kam marrë mesazhin e përkushtimit të mëtejmë ndaj këtij procesi”, ka deklaruar kancelari gjerman.
Kos: Kosova t’u përmbahet obligimeve ndërkombëtare që ka marrë përsipër
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka kërkuar që Kosova të vazhdojë të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe obligimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër.
Duke folur në nisje të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Budva, Kos i ka cilësuar javët dhe muajt e ardhshëm si përcaktues për vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
“Kemi përpara javë dhe muaj që do të jenë përcaktuese, sidomos për Malin e Zi që po shkon drejt përmbylljes së proceseve të integrimit. Për Serbinë, moment vendimtar janë zgjedhjet të dielën. Për Shqipërinë, moment vendimtar është ruajtja e shtegut në rrugën drejt integrimeve evropiane. Dhe, sigurisht, edhe për Kosovën, një zgjedhje vendimtare është të vazhdojë të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe obligimeve ndërkombëtare që ka marrë përsipër”, ka thënë Kos.
Javëve të fundit ka pasur kritika për Kosovën nga Bashkimi Evropian pas ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, me të cilën kufizohet veprimet e saj. Ndryshimet janë ende në pritje për dekretim nga presidentja.
Kurti në Samitin e Berlinit: Koha që Kosova të hapë negociatat për në BE
Kryeministri Albin Kurti është deklaruar para mediave në Samitin e Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Mal të Zi. Para gazetarëve, Kurti theksoi se Kosova ka funksionalitet demokratik, stabilitet institucional, rritje ekonomike, si dhe vëmendje të pashkëputur.
Ai shtoi se Kosova duhet ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE.
“Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Mu për këtë do të bëj thirrje sot dhe çdo ditë, kundrejt çdo lideri të BE-së, që të kërkojnë opinionin nga Komisioni Evropian për këtë çështje”, u shpreh Kurti.
Kurti nga atje ka bërë thirrje që të zbatohen zotimet nga Samiti i Londrës i 2018-s “lidhur me drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe për gjetjen e personave të zhdukur".
“Jemi optimistë për të ardhmen sepse ne bashkëpunojmë dhe ne e mbajmë veten të angazhuar. Të angazhuar duke u mbështetur në vlerat e BE-së, duke i mbyllur derën Kremlinit dhe duke u fokusuar në punësimin e të rinjve dhe sundimin e ligjit”.