Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar se do t’i shtyjë veprimet sindikale deri në takimin e ardhshëm të kryesisë ekzekutive të BSPK-së që do të mbahet më 28 prill.
Në një përgjigje për Kohën, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka thënë se ky vendim ka ardhur pasi kryeministri Albin Kurti, ka premtuar se kërkesat sindikale do të shqyrtohen me përgjegjësit qeveritarë.
Hykolli ka thënë se kjo po bëhet në mënyrë që t’i jepet mundësi dialogut duke tentuar që të arrihet marrëveshje.
Ai tutje ka bërë të ditur se presin që së shpejti të thirret takim nga Kurti.
“Sot Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbajti takim me qëllim të shqyrtimit të situatës aktuale dhe të zhvillimeve të fundit pas protestës së 8 prillit 2022 e cila u vlerësua e duhur dhe e nevojshme e që dha rezultatin e saj si dhe u paraqit një raport lidhur me takimin që është mbajtur më 18 prill 2002 në mes të Kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të BSPK-së në të cilin takim u bisedua për kërkesat tashmë të njohura e të paraqitura edhe në protestën e 8 prillit 2022 për vazhdimin e pagesës prej 100€ për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave”, ka thënë ai.
Hykolli ka thënë se pret nga Qeveria që të merren seriozisht me kërkesat e anëtarësisë sindikale.
Më 8 prill sindikatat e sektorit publik dhe privat kanë protestuar para Qeverisë.
Ata kanë kritikuar qasjen e Kurtit, për siç kanë thënë, injorimin e sindikatave.