Autoritetet e Shqipërisë kanë konfirmuar se shumica e qytetarëve që po kthehen me forcë prapa në vendlindje nga Britania e Madhe sivjet, janë të dënuar për krime në Mbretërinë e Bashkuar. Mediumi prestigjioz BBC ka biseduar me disa prej të kthyerve dhe ka raportuar të mërkurën se disave prej të burgosurve u ishin ofruar 1500 funte për ta lëshuar Mbretërinë e Bashkuar.
Siç shkruan BBC, çdo javë në pjesën e pasme të Aeroportit të Tiranës mblidhet turma e vogël e njerëzve në gardh me gjemba. Pista e ngushtë e saj është vendi ku aterrojnë të dëbuarit nga Mbretëria e Bashkuar, nën vëzhgim të afërt nga familjarët. Duhen disa orë që të dëbuarit të shfaqen për t’i përqafuar më të dashurit e tyre.
Fluturimet drejt Shqipërisë janë rritur qëkur dy vendet nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në dhjetor “për të frenuar dhe penguar migrimin e paligjshëm”.

Qeveria e Britanisë ka thënë se më shumë se 1000 njerëz janë kthyer që nga ajo kohë: gati gjysma e tyre vullnetarisht e pjesa tjetër e kombinuar nga azilkërkuesit e refuzuar dhe shkelësit e huaj.
BBC ka folur me dhjetëra njerëz në disa fluturime me të dëbuar muajin e shkuar dhe ka gjetur se shumica vinin nga burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Disave u janë ofruar para për t’u pajtuar për dëbim dhe liroheshin nga burgu para se ta kryejnë dënimin minimal, nën një skemë ekzistuese që përdoret për shkelësit e huaj.
Policia e Shqipërisë ka konfirmuar se shumica e të kthyerve me forcë sivjet ishin të dënuar për krime në Britani të Madhe.
Në shkrimin e BBC-së, një 30-vjeçar shqiptar ka treguar se ka qenë duke vuajtur burgun prej gjashtë vjetësh për narkotikë dhe se ishte liruar për deportim pasi kreu vetëm dy vjet burgim – një vit para se ta mbërrinte afatin e ligjshëm për lirim me kusht.

“Zyra e imigrimit erdhi të na shihte. Ata na pyesnin nëse donim të ktheheshim në Shqipëri apo të rrinim në Britani të Madhe. Na kanë shpjeguar se nëse kthehemi, do të na hiqnin një vit nga dënimi”, ka thënë ky person, duke dashur të mos i zbulohet identiteti.
Ai ka treguar se i ishin ofruar 1500 funte si përkrahje financiare për t’u kthyer në shtëpi, nën një program të quajtur “Skema e Lehtësimit të Kthimit”.
Një dokument i Qeverisë së Britanisë së Madhe ka treguar qartë se kjo skemë është ndihmë financiare që u ofrohet të burgosurve të huaj me kushtin e bashkëpunimit për dëbim dhe heqje dorë nga e drejta e apelimit të dënimit.
Të burgosurit e tjerë që kanë folur për BBC-në kanë thënë se e njëjta shumë u është ofruar edhe atyre.
30-vjeçari ishte dëbuar nën “Skemën e Lëshimit të Hershëm”, që përdoret në Britani për të burgosurit e huaj të të gjitha kombësive. Kjo skemë nuk kërkon pëlqimin e të burgosurve, por disa shqiptarë të dëbuar kanë thënë se dëbimi dhe zbutja e dënimit ishin prezantuar si masë vullnetare.
“Ishte zgjidhja ime të kthehesha. Askush nuk më detyroi. Ma ofruan. Më thanë ‘ti vendos nëse do të shkosh apo të qëndrosh’”, ka treguar ai.
Qeveria britanike ka refuzuar të japë statistika që tregojnë se sa shqiptarë janë depërtuar nën këtë skemë.
Me ligjet britanike, kushdo nga të burgosurit që lirohet më herët për të lëshuar vendin, nëse kthehet ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, duhet ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit, pavarësisht kohës që ka kaluar.
“S’do të kthehem më. Nuk shkoj më në burg. Tash do të kërkoj punë e do të jem njeri i mirë”, ka thënë 30-vjeçari shqiptar.
Megjithatë, ka shumë shqiptarë të dëbuar që kanë treguar se planifikojnë të kthehen në Britani sërish, pavarësisht masave ligjore.
“Janë duke i mbledhur shqiptarët tash”, ka thënë një burrë. “Është vështirë për shqiptarët që të rrinë në Mbretërinë e Bashkuar sepse policia i ndal në rrugë. Nuk na duan më”.
Ai ka thënë se është dëbuar drejt Shqipërisë, pasi policia e ndali me veturë dhe e zuri pa dokumente. Megjithatë planifikon të rikthehet.
Një tjetër burrë ka thënë se tashmë ka shkuar tri herë në Britani të Madhe. “S’është problem për mua. Shkoj kur të dua”, ka thënë ai.
Për shumicën, ishte mundësia ekonomike që i nxiti të shkonin në Britani. Por jo për Azemin, që në fund të njëzetave, duket si i humbur, shkruan BBC. Azemi – që s’është emri i vërtetë – ka treguar rrëfimin e tij në kushte anonimiteti. Duke folur për BBC-në në Shqipëri, Azemi ka thënë se kishte ikur nga Shqipëria pasi bandat e kishin kërcënuar për ta vrarë për shkak të aktiviteteve politike. Tash është kthyer në Shqipëri përkundër dëshirës së vet.

“Frikësohem se mos ndodh e njëjta situatë. Kam qëndruar i qetë, nuk buzëqesh, jam i stresuar dhe i gjithë trupi më dridhet. Nuk fle shumë”, ka thënë ai.
Sipas raportit psikologjik britanik të Azemit, që ishte bërë para dëbimit, ishin ngritur shqetësime se ai mund të përjetojë torturë psikologjike në Shqipëri.
Qeveria britanike ka thënë se përvoja e tij tashmë ishte marrë parasysh në aplikimin e refuzuar për azil dhe se vendimi s’ndryshon.
Azemi ka thënë për BBC-në se nuk heziton të rikthehej sërish në Britani, qoftë ilegalisht, nëse kërcënohet sërish edhe pse është në listën e zezë për të hyrë në disa shtete evropiane. Shqiptarët kanë liri të lëvizjes në shtetet si Franca e Belgjika, që ofrojnë mundësinë e kalimit në kanalin drejt Britanisë.
Policia e Shqipërisë së fundmi ka përforcuar kontrollet kufitare për t’i kapur të dëbuarit që tentojnë të ikin. Bashkëpunimi në rritje mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, sipas BBC-së, ka shkaktuar rënie të ndjeshme në numrin e shqiptarëve që ikin me anije të vogla: vetëm 29 ishin zënë në muajt e parë të këtij viti.
Kjo rënie duket se është sezonale dhe testi i vërtetë pritet të jetë më vonë.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi, ka treguar se çka po bën Shqipëria për ta ndaluar kthimin e qytetarëve drejt Britanisë.
“S’është e mundshme të vendosësh nga një çip tek të gjithë për t’i përcjellë ku shkojnë. Nëse ka njerëz me precedentë penalë, sidomos në trafikim, policia duhet të jetë e alarmuar. Por në përgjithësi, njerëzit që kthehen janë qytetarë të lirë në Shqipëri”, ka thënë ai për BBC-në.

Por krahas punës në ndaljen e migrimit ilegal, sipas tij, dy qeveritë duhet të punojnë në rrugët ilegale që shtetasit e Shqipërisë të shkojnë në Britani të Madhe.
“I kam sugjeruar homologes sime, sekretares së brendshme, Suella Braverman, që duhet të krijojmë legjislacion menjëherë që të gjithë shqiptarët që punojnë punë të ndershme në Britani të Madhe dhe që s’kanë të kaluar kriminale”, ka shtuar ai.
Të dyja qeveritë dinë për “tërheqjen ekonomike” në Mbretërinë e Bashkuar.
Në qytezën e vogël veriore, Krumë, 60 për qind e popullatës tashmë ka ikur. Siç ka shkruar gazetari i BBC-së, qytetari i parë që e ka takuar në rrugë i ka folur anglisht me theks londinez.
Politikanët lokalë kanë thënë se shumica e votuesve tashmë jetojnë në Londër.
Në këtë reportazh, BBC ka shkruar edhe për kafenë e quajtur “Britania” në të cilën shërbehet kafja e mëngjesit.
Mbretëria e Bashkuar është duke investuar më shumë se 8 milionë funte në Kukës nëpërmjet organizatës që synon të ndryshojë ato që quhen “norma kulturore” të migrimit ilegal drejt Britanisë. Qeveria e Shqipërisë është duke investuar po ashtu në infrastrukturë, përfshirë aeroportin e ri. Por banorët lokalë s’i kanë ndier benefitet.
Çështja e migrimit ilegal përmendej edhe në fushatën e fundit. Kandidatët për kryetar kishin premtuar se do të bëjnë punë për të ndaluar ikjen e të rinjve. Por, vetë qytetarët, kanë thënë se nuk shohin të ardhmen në Shqipëri. “Dua të kthehem në Britani të Madhe. Ky vend s’është për mua. Kam qenë dy vjet në Britani të Madhe dhe dua të kthehem”, ka thënë një tjetër qytetar.
Sipas banorëve, edhe fëmijët në Kukës duan të ikin kur ta kryejnë shkollën.
Siç thonë të rinjtë: E ardhmja s’është në Kukës, por në Britani.