Departamenti qeveritar i Britanisë për migrim dhe siguri po punëson shqiptarë të famshëm për t’i bindur bashkatdhetarët e tyre kundër udhëtimit ilegal për në Britani. Ky departament do të paguajë influencuesit që të postojnë përmbajtje në TikTok ku u kërkojnë migrantëve që të mos e kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla.
Influencuesve të rrjeteve sociale në shtetet me numër më të madh të migrantëve që kalojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe do t’u ofrohen mijëra funte për të publikuar ligjet e reja për migrim, duke përfshirë kërcënimin për deportim në Rwanda, ka raportuar The Times.
Fushata masive do të bëhet në Shqipëri, Irak, Egjipt dhe Vietnam, me planet që të paraqitet edhe në Turqi e Indi.
Një listë me emra të influencuesve është krijuar në Shqipëri dhe aty përfshihen një reper, dy komedianë, “blogerë”, personazhe të televizionit, etj.
Departamenti ka një buxhet prej rreth 30,000 funtesh për t’i paguar influencuesit shqiptarë, të cilët janë përzgjedhur për aftësinë e tyre për të apeluar te të rinjtë. Për person do të ndahen nga 5,000 funte.
Reperi i njohur si Omg Dioh, i cili ka mbi 100,000 ndjekës në TikTok, u zgjodh si kandidat i përshtatshëm për shkak se ai “e përdor platformën për të influencuar dhe edukuar të rinjtë që të punojnë shumë dhe të ndjekin pasionin e tyre”.
Një tjetër influencues është Roxhi Dibrani, komedian me 150,000 ndjekës, i cili ka “një dialekt të fortë verior, që mund ta ndihmojë të shpërndajë mesazhet më lehtë te të rinjtë të vendosur në rajonet tona të targetuara”.
Fabio Daja, me 109,000 ndjekës, është përshkruar si “influencues i mënyrës së jetesës” i cili “në mënyrë aktive ndan mendimet e tij në një mënyrë optimiste”.
Suksesi i mëhershëm i fushatave të tilla është i paqartë. Hulumtimi që e ka parë media britanike “The Independent” thoshte se departamenti qeveritar e pagoi Metan të paktën 35,000 funte për qindra reklama në Facebook dhe Instagram që iu shfaqën njerëzve në veri të Francës dhe Belgjikë nga janari 2021 deri në shtator 2022.
Disa prej tyre arritën te më pak se 1,000 persona dhe të tjera te mbi një milion, por Qeveria nuk pati se si të shihte se kë po e arrinte me ato reklama, prandaj sipas profesorit Ben Collier nga Universiteti i Edinburghut, Qeveria thjesht po hidhte reklama nëpër faqet e rrjeteve sociale dhe po shihte se çfarë po tërhiqej më shumë nga audienca.
Një hetim paraprak nga “The Independent” në vitin 2022 po ashtu gjeti se Qeveria i kishte paguar 2.7 milionë funte firmës me bazë në Hong Kong, Seefar, që nga viti 2016, e cila bën “fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit për migrimin dhe për ndryshimin e sjelljes”, përfshirë një faqe kontroverse qeveritare ku ministrat kërkonin të pengonin migrimet ilegale.
Më shumë se 100,000 persona e kanë kaluar Kanalin me varka të vogla që nga viti 2018 – kur nga kjo rrugë, që më parë rrallë shfrytëzohej për t’u futur në Britani, filloi të ketë numër të madh njerëzish që përpiqeshin ta kalonin. Të paktën 64 persona mendohet se janë mbytur.
Derisa ardhjet e tilla ranë me më shumë se një të tretën në vitin 2023, gati 30,000 persona u futën në Britani përmes asaj rruge, duke e bërë vitin e dytë me kalimet ilegale më të larta në numër, pavarësisht se Qeveria i bën të dënueshme këto kalime dhe se po vazhdon me planin e saj të dështuar të parandalimit për t’i dërguar në Rwanda azilkërkuesit.
“Kontrabandistët e njerëzve përdorin shpesh rrjetet sociale për të shpërndarë gënjeshtra dhe për të promovuar aktivitetet e tyre kriminale, dhe është jetike që ne t’i përdorim të njëjtat platforma për t’i informuar migrantët për të vërtetat rreth kalimit të Kanalit dhe ardhjes ilegalisht në Britaninë e Madhe”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit për migrim dhe siguri.
“Veprimet e pandalshme që kemi ndërmarrë kanë reduktuar kalimet ilegale me 36% vitin e kaluar... Ne nuk kërkojmë falje për marrjen e çdo mase të nevojshme për ndalimin e anijeve dhe shpëtimin e jetëve”.
Përgatiti: Emine Shehu