Fotografia e parë: një sirian me vetulla të dendura që e quan veten komandant i një grupi ushtarak islamik. Ajo që duket sikur mikpritje brenda një dhome tipike siriane do të kthehet thuajse në fatalitet për nikoqirin. Fotografia e dytë: një vajzë e dobët 15-vjeçe e quajtur Shamima Begum, që përfundon mes tmerreve të Shtetit Islamik në Siri. Fotografia e tretë: reporteri britanik Anthony Loyd me fytyrë të enjtur nga rrahjet e torturat që përjetoi në duart e grupeve islamike në Siri, shkruan sot Koha Ditore.
Rreth këtyre fotografive bosht u zhvillua rrëfimi interesant i gazetarit britanik, Anthony Loyd, i njohur për raportimet e tij vivide nga lufta në Bosnjë, Kosovë, Çeçeni, Afganistan, Sierra Leone dhe Irak.
Të enjten mbrëma, për rreth dy orë Anthony Loyd dhe Enver Robelli ndanë përvojat e tyre gazetareske me publikun e mbledhur në sallën e “Kino Armatës” në Prishtinë. Kjo ngjarje e quajtur “Brit Talks”, që ka nisur prej vitit 2016 nga Ambasada Britanike në Prishtinë, bëhet në kuadër të festimeve për ditëlindjen e Mbretëreshës. Në fjalën e tij hyrëse ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O'Connell, ka shpjeguar se ky event bëhet në kuadër të një fushate botërore për mbrojtjen e lirisë së medias. Sipas tij, “viti 2019 ka qenë i tmerrshëm për gazetarët në botë”.
“Shoqëritë e hapura demokratike kanë nevojë për informacion që duhet të përdoret nga qytetarët aktivë. Është e qartë se në shumë vende të pushtetshmit nuk duan të japin llogari dhe bëjnë çmos t’i heshtin ata që flasin kundër tyre”, ka thënë ambasadori britanik. Për të, “këta zëra janë vetë gjaku i jetës për shoqërinë”....
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)
{gallery}