Arbëri

Brigada e zjarrfikësve në Podujevë funksionon me çerekun e stafit

Brigada e zjarrfikësve në Podujevë po përballet me numër të vogël të stafit. Zyrtarë të saj thonë se aktualisht i kanë vetëm 14 zjarrfikësve, teksa, bazuar në numrin e banorëve dhe në territorin që e ka Komuna e Podujevës, nevojiten rreth 60. Telashet thonë se u shtohen kur ka më shumë se dy zjarre në të njëjtën kohë, e në një orar pune nuk i kanë më shumë se dy ekipe

Janë katërmbëdhjetë zjarrfikës, komandanti i tyre dhe zyrtari parandalues ata që duhet të intervenojnë në rastet e zjarreve që raportohen në gjithë territorin e Komunës në Podujevës.

Brigada e zjarrfikësve në këtë komunë prej kohësh përballet me numër të vogël të stafit.

Në një orar pune, ajo ka vetëm dy ekipe që duhet të angazhohen edhe në rast se raportohen më shumë se dy zjarre në të njëjtën kohë. Kjo, sipas drejtuesit të brigadës, Milaim Ajvazi, i shtyn të bëjnë përzgjedhjen se cili rast është prioritar.

“Shërbimi i zjarrfikësve në Podujevë po përballet me një mungesë të theksuar të stafit për faktin se zona e përgjegjësisë të cilën e mbulojmë meriton të ketë diku afër 60 zjarrfikës, kurse ne veprojmë vetëm me 25 për qind të stafit të nevojshëm. Mandej kemi njerëz të pandërgjegjshëm, të cilët i përdorin do teknika të lashta të djegies së hamulloreve, pyjeve. Kështu që kapacitetet tona vështirë, po sfidohemi shpesh në shuarjen e zjarreve kur ndodhin ato paralel”, ka thënë Ajvazi.

Përkitazi me problemet e mungesës së stafit, zyrtarët në Komunë kanë thënë se ekziston një lloj përzierjeje të kompetencave, pasi Komuna i paguan zjarrfikësit teksa përgjegjësi ata u japin Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe nga Ministria e Financave që t’i lejohet AME-së që të shpallë konkurse për Komunën e Podujevës për Brigadën e Zjarrfikësve këtu me qëllim që të shtohet numri për shkak se numri është i pamjaftueshëm dhe e kanë vështirë që t’i menaxhojnë gjithë këto probleme që po shfaqen me zjarret”, ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës.

Ai thotë se vitin e ardhshëm planifikohet shtimi i dy zjarrfikësve, porse e shprehu pritjen që Ministria e Financave ta rrisë këtë numër.

E në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) bënë të ditur se rritja e numrit të zjarrfikësve për Podujevën nuk është në kompetencë të tyre.

“AME ka identifikuar numrin e nevojshëm të zjarrfikësve për të gjitha komunat duke përfshirë edhe Komunën e Podujevës, në disa vjet me radhë dhe këtë vit në vazhdimësi ka dhënë propozimet dhe arsyet reale për ngritje të numrit të zjarrfikësve”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Agjencisë.

Në Agjenci thanë se deri në fund të vitit, parashihet angazhimi i zjarrfikësve vullnetarë.

Lidhur me shtimin e numrit të zjarrfikësve në Podujevë, KOHA i ka adresuar pyetje edhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, porse nuk ka marrë përgjigje.