Arbëri

Brenda dy muajsh, SHSKUK-ja përballet dy herë me mungesën e ilaçit të shtrenjtë

Qe dy javë, pacientët e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar janë duke u përballur me mungesë të një terapie të kushtueshme, që për njësi shkon deri në njëmijë euro. E kjo është hera e dytë që barnatorja qendrore përballet me këtë mungesë në dy muajt e fundit

Brenda dy muajsh, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka mbetur dy herë pa produktin e shtrenjtë të listës esenciale.

Stoqet e terapisë së imunoglobulinës humane, që mungoi prej marsit deri në mes të prillit, janë sërish të zbrazura që dy javë.

Kjo terapi, që ndihmon trupin të luftojë infeksionet dhe sëmundjet që shkaktohen nga mungesa e antitrupave në gjak, përdoret më së shumti në klinikat e Pediatrisë dhe të Neurologjisë.

Qytetarët, që në mungesë të saj detyrohen ta sigurojnë në mënyrë private e të paguajnë për njësi prej 500 deri në 1 mijë euro, në kushte anonimiteti janë ankuar për mosqëndrueshmëri në furnizim.

“Sot më thanë se prapë ka mungesë të barit esencial imunoglobulinë e që kinse do të vijë në javën tjetër. Fëmija im e ka me dokumente nga mjekët që e merr këtë terapi çdo muaj dhe që i duhet përgjithmonë. Herën e kaluar kam ble dy muaj doza e jam detyru në Shkup me ble se këtu është më shtrenjtë. Këtu 10 gramë kushton 1000 euro e në Shkup 700”, ka thënë një familjar i një pacienti.

Ndonëse furnizimi është shoqëruar me probleme të herëpashershme, ShSKUK-ja në fillim të prillit ka lidhur përsëri kontratë për sigurimin e kësaj terapie me operatorin e njëjtë ekonomik.

Në Barnatoren Qendrore arsyetohen se kjo u bë meqë kjo kompani është e vetmja që ka autorizim marketing për barin, që është pjesë edhe e listës esenciale.

Drejtoresha Dardane Mehaj ka thënë se në prill u furnizuan me 120 gramë më pak sesa sasia e planifikuar.

“Sipas operatorit ekonomik njëjtë, arsyet e njëjta, problemet me prodhimin të cilën e kanë cek janë ato arsyet që e kanë ba deri te vonesat e liferimit. Duhet me cekë, prapë ka marrë vërejtje, ka marrë dënim prej zyrës së prokurimit, për arsye se nuk na e ka sjellë me kohë. D.m.th. të gjitha procedurat që duhet me i ndjek ne si ShSKUK i kemi ndjek deri në pikën e fundit, mirëpo fatkeqësisht produkti pritet me ardhë javën e ardhshme”, ka thënë Mehaj.

KOHA i ka nisur pyetje kompanisë lidhur me furnizimin e paqëndrueshëm, por nuk ka marrë përgjigje. E në një prononcim më herët, nga kjo kompani patën akuzuar SHSKUK-në për porosi jashtë planifikimit, për çka drejtoresha e barnatores tha se kërkesa bëhet për realizim të kontratës deri në 130 për qind, konform ligjit të prokurimit.

“Në momentin kur e kemi pyetur zyrtarisht, fatmirësisht gjithmonë u drejtohemi në mënyrë zyrtare edhe operatori thotë mundem me sjellë, ai është dashtë me mendu a do të ketë problem vitin e ardhshëm ka mundur neve me na kthy përgjigje me thënë nuk mundemi me e realizu këtë, sepse edhe ajo ka qenë një kosto dhe na kemi marrë përgjigje pozitive prej kompanisë e cila na ka sjell edhe një tremujor shtesë edhe fatmirësisht e kemi shty deri në mars mos me pas probleme të tilla”, ka shtuar Mehaj.

Nga 4 mijë e 900 gramë sa ishte sasia e planifikuar në kontratën paraprake, ajo është rritur për mbi 2 mijë e 100.

Në Barnatoren Qendrore thonë se nuk kanë ndonjë mënyrë të kompensimit të pacientëve për produktet, të cilat SHSKUK-ja nuk mund t’i sigurojë.