Arbëri

“Bregu i Diellit” pa rrymë për mbi 12 orë, revoltohen qytetarët

Nën zhurmën e gjeneratorëve e kaluan të shtunën banorë të shumtë të lagjes “Bregu i Diellit” në kryeqytet.

Kjo, si rrjedhojë e ndërprerjes së energjisë elektrike për më shumë se 12 orë për këtë pjesë të Prishtinës, raporton KOHA.

Thonë se përpos mungesës së energjisë elektrike, problem tjetër si shkak i kësaj u bë edhe mungesa me ngrohje.

Të tjerë banorë janë ankuar për ndërprerjen e energjisë elektrike në kohë pandemie dhe ritmin siç e kanë quajtur ata, të ngadaltë të punës së njësiteve të KEDS-it.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë për KTV-në se problemi erdhi si pasojë e një defekti në njërën prej trafove të KOSTTI-it.

‘’KEDS njofton se në një pjesë të lagjes “Bregu i Diellit” të Prishtinës ka defekt që po paraqitet në një trafo të KOSTT'it. KEDS është duke e bërë maksimumin për t’i furnizuar konsumatorët me energji elektrike edhe të asaj pjese. Por, ajo trafo e KOSTT-it po e bën të pamundur furnizimin. Ekipet tona kanë qëndruar aty gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të jenë aty duke e bërë maksimumin që të rikthehet energjia elektrike sa më shpejt të jetë e mundur. Por, pasi bëhet fjalë për ndërprerje që po shkaktohet në pjesën që është në përgjegjësi të KOSTT-it, aktualisht e kemi të pamundur furnizimin për atë pjesë”, njoftoi Buzhala.

Përpos lagjes ‘’Bregu i Diellit’’ gjatë së shtunës pati ankesa edhe nga banorët e lagjes ‘’Mati’’ e ata të ‘’Lagjes së Spitalit’’ për mungesë të energjisë elektrike për më shumë se 10 orë.