Që pas orës 22:30 të së premtes banorët e lagjes “Bregu i Diellit” kanë mbetur pa energji elektrike.
Sipas zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, kjo pjesë e Prishtinës ka mbetur në terr tash për më shumë se 12 orë për shkak të një defekti.
“Ka defekt. KEDS është duke e bërë maksimumin për t’i furnizuar konsumatorët me energji elektrike të asaj pjese. Por, në momentin kur po lëshohet po reagon trafo e KOSTT-it”, ka thënë Buzhala për KOHËN.
Probleme me energjinë elektrike janë detektuar vetëm në atë lagje të kryeqytetit sipas Buzhalës, teksa ekipet ende po vazhdojnë të punojnë aty.
“Shpresojmë së shpejti”, është përgjigjur ai për kohën se kur mund të rregullohet problemi dhe të rikthehet energjia elektrike.
“Ekipet kanë qëndruar aty gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të jenë aty duke e bërë maksimumin që të rikthehet sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka shtuar Buzhala.
Më vonë është sqaruar edhe KOSTT-i. Sipas tyre, defekti ka ardhur si pasojë e rritjes së konsumit.
“Njoftohen qytetarët se pengesat në furnizim me energji elektrike në Prishtinë, përkatësisht në Bregun e Diellit, janë si pasojë e rritjes së konsumit gjë që ka ndikuar në paraqitjen e disa defekteve në rrjetin distributiv të nivelit të tensionit 10kV të cilat po reflektojnë edhe në sistemin e transmetimit. Ekipet profesionale të KEDS dhe KOSTT aktualisht janë duke e analizuar situatën dhe po konsultohen për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës. Për më tepër ju lutemi që për këtë çështje të kontaktoni KEDS”, thuhet në njoftim.