Arbëri

Bosnja s’mund t’ia heqë vizat Kosovës pa konstituimin e Kuvendit

Më 3 nëntor pritet nënshkrimi i tri marrëveshjeve rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit për njohjen e letërnjoftimeve, diplomave e kualifikimeve profesionale mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Qëllim i marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve është heqja regjimit të vizave ndaj shtetasve të njëra-tjetrës, si rasti i Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Por, siç mëson KOHA, hyrja në fuqi e marrëveshjeve pritet të marrë kohë pasi ato pas nënshkrimit duhet të ratifikohen në kuvende e të cilin Bosnja ende s’e ka të konstituuar

Vizat midis Kosovës e Bosnjës nuk do të hiqen fill pas marrëveshjeve për letërnjoftimet mes 6-s së Ballkanit Perëndimor që pritet të nënshkruhen më 3 nëntor, pasi kjo bëhet pasi ato të ratifikohen në kuvendet e shteteve. E kjo kërkohet edhe për marrëveshjet për njohjen e kualifikimeve profesionale e diplomave universitare. Këtë e kanë konfirmuar edhe njohës të rrethanave politike në Bosnjë.

Sipas gazetares së “Al Jazeera Balkans”, Zhana Kovaçeviq, në Bosnjë ka presion ndërkombëtar për arritje e zbatim të këtyre marrëveshjeve, porse aktualisht Kuvendi federativ që duhet ta ratifikojë marrëveshjen për heqje vizash ende nuk është i konstituuar pas zgjedhjeve të 2 tetorit.

“Posaçërisht, pasi propozimi ka ardhur nga qendrat e pushtetit evropian, që janë dukshëm të shqetësuara me luftën në Ukrainë dhe duan t’i japin fund lëmshit që ka udhëhequr Ballkanin Perëndimor për goxha kohë, dhe ta përfundojnë atë që shtetet s’ishin të afta ta bënin gjatë tri dekadave. Mendoj se elitat politike të Ballkanit Perëndimor nuk kanë shumë vend për manovra për t’iu shmangur asaj që u ofrohet… Rezultatet (v.j. zgjedhore) nuk janë shpallur ende, për shkak të keqpërdorimeve e parregullsive”, ka thënë Kovaçeviq.

Pjesa serbe me politikanë që shpesh kanë promovuar shkëputjen e tërësishme nga federata, sipas saj, nuk pritet të jetë problematike. Për politikanët e Republika Sërpskas, gazetarja Kovaçeviq ka thënë se do të veprojnë ashtu siç do të veprojë Beogradi, që nuk ka shprehur rezerva lidhur me marrëveshjet në Berlin.

“Politikanët e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës janë të prirë ta pranojnë propozimin, posaçërisht referuar Kosovës dhe përfitimit të udhëtimit për qytetarët e Kosovës, që domethënë edhe udhëtim pa viza të qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës për në Kosovë. Politikanët e pjesës tjetër të vendit, në Republika Sërpska, mbi të gjitha Milorad Dodik, do të veprojnë ashtu si veprojnë Serbia e presidenti A. Vuçiq. Me siguri do të paketohet si tregim i mbrojtjes së interesave të serbëve në Kosovë dhe të përpjekjes së Serbisë për t’i mbrojtur ato”, ka thënë Kovaçeviq.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, ka thënë se kanë diskutuar lidhur me Samitin e Procesit të Berlinit “por vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve si siguria, kriza me emigrantët dhe sigurisht integrimi evropian i Ballkanit perëndimor”. Në një video të shpërndarë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, me ton të relaksuar ai ka deklaruar se po ashtu temë diskutimi kanë qenë edhe “tregu rajonal, siguria kibernetike, por edhe rritja e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet partnerëve në Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë takimit të së premtes ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbok, i quajti tri marrëveshjet që do të nënshkruhen të mëdha dhe nxitëse të mobilitetit rajonal. Baerbok rikujtoi se liria e lëvizjes është element i mirëqenë i jetës së qytetarëve të Bashkimit Evropian.

“Do ta promovojnë dhe do të jenë nxitëse të mëdha për mobilitetin rajonal për shkëmbimin nga dhe me njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe kjo nënkupton tri gjëra në terma konkretë: e para, në të ardhmen, njerëzve të Ballkanit Perëndimor do t’iu duhet vetëm letërnjoftimi që të udhëtojnë nëpër kufijtë e rajonit të tyre. Kjo është diçka që ne e dimë në Evropë e në Bashkimin Evropian dhe që është diçka që është pjesë e jetës sonë të përditshme. Mund të shkojmë në shtetet fqinje për të punuar, për t’i takuar miqtë tanë apo thjesht për shoping”, ka thënë Baerbok.

Iniciativën për këtë marrëveshje e kanë përshëndetur edhe kryetaret e partive boshnjake të Kosovës NDS e SDU, Emilija Rexhepi dhe Duda Balje. Zëvendëskryeminstrja Rexhepi e ka shpërndarë një fotografi ku shkruhet “Nënshkruhet marrëveshja – Kosova e Bosnja ia heqin vizat njëra-tjetrës”.

Ndërsa deputetja Balje ka thënë se ka bërë përpjekje vazhdimisht drejt heqjes së vizave me Bosnjën.

“Jam e lumtur që përpjekjet e mia si deputete e Kuvendit të Kosovës kanë qenë të vazhdueshme që mes Kosovës dhe Bosnjës të hiqen vizat dhe të liberalizohet lëvizja e lirë e qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo të premten në Facebook, në një fotomontazh ku shkrihen flamujt e të dyja shteteve.

Marrëveshjet që në parim u dakorduan në kryeqytetin gjerman parashohin njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimet profesionale, siç janë ato të mjekëve e arkitektëve.

Burimet e KOHËS kanë thënë se derisa herën e kaluar në Berlin ishin ministrat e jashtëm, niveli më i lartë politik i shteteve pritet të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve.

Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh Kosovën shkaku i miratimit të entitetit të Republika Sërpskas. Qeveria e Kosovës ka shprehur interesim për vendosje të marrëdhënieve diplomatike e vetë kryeministri, Albin Kurti, pati thënë se pavarësisht se është shtet jonjohës nuk duhet të trajtohet njëjtë me Serbinë.

“Kurrë s’e kam vendosur Bosnjë-Hercegovinën në të njëjtën kategori me Serbinë. E edhe në të kaluarën, kur disa prej pararendësve të mi merrnin vendime që thoshin se si Serbia ashtu edhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin Kosovën... Kurrë s’e kam bërë këtë, sepse ka pasur gjenocid në Bosnjë- Hercegovinë dhe e keni një krijesë të atij gjenocidi që është Republika Sërpska dhe mendoj që duhet të jemi të qartë në këtë pikë”, kishte thënë kryeministri Kurti në një intervistë për “Al Jazeera Balkans” në prill të këtij viti.

Mungesa e marrëdhënieve diplomatike e regjimi i vizave bënë që qytetarët e Kosovës të shkojnë zakonisht në Shkup ose Tiranë për t’i marrë vizat boshnjake e ata nga Bosnjë-Hercegovina në Zagreb.