Arbëri

Borxhi prej 86 mijë euro i RTK-së për “TV Diaspora”, pa kontratë

Valon Ramadani - RTK

Buxheti në vlerë mbi dy milionë euro për periudhën janar-mars 2022, sipas kryetarit të Bordit të RTK-së, nuk do të mund të shlyejë të gjitha borxhet e vjetra të këtij mediumi.

Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Boletini deklaroi se këto borxhe janë shkaktuar nga produksionet e jashtme.

“Kështu që forma e kontraktimit të tyre, ne si bord kemi konsideruar që ka qenë abuzuese dhe është shkaktari krijimit të këtyre borxheve, kështu që ne do të kemi kujdes dhe këtë do ta bëjmë vetëm përmes konkurseve publike. Nuk do të ketë marrëveshje në tavolinë që me fillua emisioni të nesërmen”, ka thënë Besnik Boletini, kryetar i Bordit të RTK-së.

Boletini përmendi edhe çështjen e numrit të madh të redaktorëve duke thënë se këto avancime janë bërë në mënyrë joligjore.

Në mbrojtje të këtyre avancimeve iu doli ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

"Ndoshta mund të kemi dilema pse kaq shumë, pajtohem edhe vet që janë shumë, por në anën tjetër ajo çfarë është dëshmuar në zgjedhjet e fundit nacionale, shumica e redaktorëve kanë qenë në terren, kanë raportuar. Do të thotë se nuk kemi të bëjmë me refuzim të punës nga ana e tyre ose dembelë”, u shpreh Shkumbin Ahmetxhekaj, u.d. i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Ahmetxhekaj ka njoftuar edhe për një borxh prej 86 mijë eurove që ia ka televizioni publik kompanisë “TV Diaspora”.

Njoftoi se nuk ka kontratë të nënshkruar për këtë borxh dhe se nuk ka bazë ligjore që televizioni të paguajë për diçka për të cilën nuk ekziston kontrata.

Gjatë diskutimit opozita pati kritika edhe për skemën programore të RTK-së. Deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala, tha se në këtë medium ka mungesë të programeve arsimore, kulturore dhe sportive.

Në përkrahje të menaxhmentit të ri doli deputeti i VV-së, Enver Haliti, i cili akuzoi pushtetin e kaluar për gjendjen e krijuar në këtë televizion publik.

"Me respektin maksimal merruni me të kaluarën, mos u ndalni, por kthehuni të sotmes, por në rrethana të pandemisë, arsimi, kultura, sporti mungojnë në projeksionin e juaj. Është shqetësim për qytetarët, andaj këtu duhet të jenë më të kujdesshëm në projeksion. Dhe një pyetje a ka ndodhur me pasur ose me vendosur mjete financiare RTK-ja dikujt që ndoshta edhe gabimisht i kanë shkuar në konto”, pohoi Ferat Shala, deputet i PDK-së.

“Nuk mundemi me kërkuar prej menaxhmentit dhe bordit sot me bërë magji, se s'e kanë shkopin magjik me i zgjidhë të gjitha problemet që janë akumuluar me vite të tëra", shtoi Enver Haliti, deputet i LVV-së.

Komisioni nuk pati kuorum për miratimin e raportit të shpenzimeve për periudhën tetor-dhjetor 2021 në RTK.