Arbëri

Borxhet e konsumatorëve ndaj “Termokosit” mbi 16 milionë euro

Prishtinë, 10 janar (EkonomiaOnline) - Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores “Termokos”, Arsim Fetahu, ka thënë se borxhet e konsumatorëve ndaj kompanisë arrijnë në vlerën e mbi 16 milionë eurove. Ai po ashtu ka treguar se kanë dërguar 500 konumatorë te përmbaruesit privat për moskryerjen e pagesave.

“Borxhet ndaj kompanisë ‘Termokos’ janë mbi 16 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave daton nga periudha para projektit të rigjenerimit dhe shpresojmë që në të ardhmen të bëhet një zgjidhje e cila do të jetë e kënaqshme edhe për ne edhe për qytetarët sa i përket borxheve. Momentalisht i kemi dërguar 500 konsumatorë te përmbaruesi për mos kryerjen e shërbimeve të ngrohjes dhe ky numër do të rritet deri në fund të vitit”, ka deklaruar Fetahu në intervistë për “EkonomiaOnline”.

Fetahu ka folur edhe për projektet e realizuara gjatë vitit të kaluar dhe ato që synohen të arritën këtë vit. Ai ka treguar edhe për vështirësitë që i ka sjellë pandemia COVID-19.

“Këtë vit është realizuar me sukses projekti i financuar nga komisioni evropian në vlerë prej 8.5 milionë eurosh me që rast janë 100 nënstacione të vjetra të cilat janë bërë të reja dhe kemi pasur zgjerim të rrjetit me 50 nënstacione të reja, ku mbi 15% e sipërfaqes aktuale është e kyçur në ‘Termokos’. Gjithë këto punime janë kryer mirë pavarësisht që këtë vit jemi ballafaquar me pandeminë dhe gjithë këta konsumator që për herë të parë janë kyçur në ngrohje janë shumë të kënaqur me shërbimet tona. Projektet tona po vazhdojnë dhe kemi siguruar fondin nga rigjenerimi nga 140 në 280 megavat që pritet të fillojë konsulenca vitin e ardhshëm dhe me këtë do të realizohet një rritje e madhe e kapacitete prodhuese. Dy vitet e ardhshme pritet investimi mbi 10 milionë euro për rrjetin e qytetit ku pritet edhe të ketë rehabilitim dhe zgjerim mbi 10% te sipërfaqes që janë kyçur. Gjithashtu edhe projekti i matësve të energjisë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit dhe do të fillojë realizimi vitin e ardhshëm ku vlera e projektit është 10 milion dollarë kurse edhe projekti për energji solare pritet që brenda këtij viti ta merr formën finale të vazhdimit të tij sepse momentalisht kemi problem mungesën e parcelave për të cilën pritet të bëhet zgjidhje”, ka shtuar Fetahu.

Sipas Fetahut në katër vjetët e ardhshme është paraparë dyfishimi i kapaciteteve që do të mbulojë pjesën më të madhe të Prishtinës, raporton EO.

“Për dy vitet e ardhshme është paraparë pjesa e Matit 1, rruga Muharrem Fejza të kyçen mbi 50 objekte banesore dhe në pjesë të tjera edhe lagja Ulpiana do të kyçet në rrjetin e ngrohjes. Kurse sa i përket projektit me energji solare është paraparë për një pjesë të lagjes Arbëria dhe Tophane. Me dyfishim të kapaciteteve që pritet të realizohet deri në 4 vitet e ardhshme është paraparë dyfishimi i kapaciteteve kurse ne atë projekt do të bëhet një master plan i ri i cili do të mbulojë një pjesë të madhe të Prishtinës”, ka thënë Fetahu.