Arbëri

Borrell thotë se BE-ja nuk do ta imponojë marrëveshjen Kosovë-Serbi

Megjithëse tha se nuk kanë rivalitet, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borell, në vizitën e tij në Kosovë, ka thumbuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, politikani spanjoll u pyet për përfshirjen e SHBA-së në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, e ai foli për investimet që BE-ja ka bërë deri tani në Kosovë, raporton KTV.

Pavarësisht këtyre deklaratave, Borelli tha se nuk janë në garë me SHBA-në dhe se ndjekin objektivat e njëjta, por që rezultati mund të arrihet vetëm nga Kosova e Serbia, duke mos imponuar zgjidhje.

I pyetur për 5 vendet e BE-së që vazhdojnë të mos e njohin shtetësinë e Kosovës, Borelli tha se nuk e ka për detyrë t’i bindë ato që ta bëjnë një gjë të tillë, por të ndërmjetësojë në negociatat mes Prishtinës e Beogradit.

Megjithatë, presidenti Thaçi ka lavdëruar punën e ambasadorit Richard Grenell me marrëveshjet e fundit, dhe përveç koordinimit me SHBA-në, nga Borelli, ka kërkuar një zë unik të BE-së për marrëveshjen finale.

Mes kritikave, presidenti Thaçi unitetin ia ka përmendur edhe për një çështje tjetër, atë të liberalizimit të vizave, e Borelli, ka paralajmëruar se shumë shpejt, Komisioni Evropian do të ketë një vendim për këtë çështje.

Një prej ngjarjeve në agjendën e Borellit në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ka qenë edhe vizita në termocentralin “Kosova B”, ku BE-ja ka investuar së fundmi 76.4 milionë euro, për ndërrimin e elektro-filtrave dhe reduktimin e pluhurit.