Komisioni Ad Hoc për përzgjedhjen e një anëtari të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, ka vendosur ta përjashtojë një kandidat nga konkursi, për shkak se nuk i kishte të përfunduara studimet themelore. Kjo ngjalli debat mes anëtarëve të Vetëvendosjes në komision, për shkak të pohimeve se përjashtimi i tillë nuk është në përputhje me Ligjin për RTK-në
Kandidatë që nuk kanë dhënë dëshmi të përvojës së punës e të përfundimit të studimeve kanë mësyrë pozitën e anëtarit të bord të RTK-së, e rezervuar për komunitetin serb. Komisioni Ad Hoc i Kuvendit, i caktuar për të bërë këtë përzgjedhje, me shumicë votash ka votuar për diskualifikim nga gara të njërit prej tetë kandidatëve që në aplikim kishte deklaruar se i ka katër provime të pakryera për studime themelore.
Por, për këtë vendimmarrje kanë pasur qëndrime të ndryshme deputetët e partisë kryesore në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se kufizimi i pjesëmarrjes në konkurs nuk mund të bëhet në bazë të shkollimit, shkaku i Ligjit për RTK-në, të cilin e quajti të keq, por që duhet zbatuar.
“Çfarë po them unë është se nuk kemi të drejtë ta diskualifikojmë për shkaqe që nuk parashihen në ligj si shkaqe diskualifikuese”, ka thënë ajo.
Atë e ka kundërshtuar kolegu e bashkëpartiaku i saj, Valon Ramadani. Ajo ka theksuar se shkollimi ka rëndësi të madhe për këtë pozitë, dhe si argument ka cituar një pikë të Ligjit për RTK-në, sipas së cilës, anëtarë bordi mund të bëhen personat që janë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti, kinematografia, gazetaria, drejtësia, biznesi dhe menaxhmenti, marrëdhëniet me publikun, marrëdhëniet ndërkombëtare, universiteti, media dhe teknika.
“Nëse një kandidat cilido që është ai, nuk e ka fakultetin e kryer s’di si duhet të jetë anëtar i bordit të RTK-së”, ka thënë Ramadani.
Në këtë mbledhje të komisionit është bërë e ditur se janë dy kandidatë të tjerë që nuk kishin sjellë dëshmi kualifikimesh. Komisioni u ka dhënë kohë shtesë për t’i dorëzuar ato.
“Jam i mendimit që t’ua japim edhe një mundësi që në një afat kohor prej 24 orësh që t’i shkruajmë email dhe t’ia japim mundësinë që të jetë pjesë e këtij konkursi”, ka thënë kryesuesi i këtij komisioni, Fitim Haziri.
Poentimin e kandidatëve, ligjvënësit që janë pjesë e komisionit do ta bëjnë në formë të hapur, ndërkaq intervistimi është caktuar për të mërkurën e ardhshme.
E konkursi për anëtar joshqiptar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil është anuluar, meqë vetëm një aplikuese i ka plotësuar kriteret.
Valon Ramadani, kryesues i komisionit për shqyrtim të listës së aplikuesve për anëtarë të KPMSHC-së nga komunitetet joshumicë ka treguar arsyet për këtë dështim.
“Për këtë këshill janë disa kritere që parashihen me ligj, e që janë goxha strikte. Tash po e shohim që është hera e tretë që në këtë komision hapet konkursi, mirëpo nuk i plotësojnë kushtet për të vazhduar tutje”, ka thënë Ramadani gjatë mbledhjes së komisionit ad hoc.
Mes kritereve që u kërkohen kandidatëve t’i plotësojnë për këtë pozitë, janë: përfundimi i provimit të jurisprudencës, 10 vjet përvojë pune dhe diploma e fakultetit juridik.