Bordi i Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK) të martën ka shprehur keqardhje për transmetimin e një kronike me akuza ndaj dy portaleve.
Ka nxitur valë reagimesh në Prishtinë transmetimi që ia ka bërë RTK-ja në lajmet qendrore të hënën raportit të një mediumi të Bosnjë e Hercegovinës, e në të cilin theksohet se portali “Periskopi” është nën kontrollin e Milan Radoiçiqit, ndërsa “Nacionale” ka marrë transaksion milionësh nga Serbia.
Pas reagimeve, Bordi i RTK-së ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku janë ftuar në takim u.d drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, drejtori i kanaleve në gjuhën shqipe, u.d kryeredaktorja e RTK-së, udhëheqësja e mediave online të RTK-së dhe stafi përgjegjës editorial.
“Bordi i RTK-së e ka shqyrtuar me seriozitet publikimin e një artikulli kontraverz të hënën më 22 korrik 2024 në RTK, të marrë nga një medium boshnjak. Anëtarët e Bordit kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi këtë lëshim të qartë dhe kanë kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, thuhet në njoftim.
U.d drejtoresha ka informuar Bordin, sipas njoftimit, që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe “do të marrë masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.