Arbëri

Bordi i shkarkuar i RTK-së kërcënon me padi

Valon Ramadani - RTK

Bordi i deritashëm i RTK-së ka reaguar pas shkarkimit nga Kuvendi i Kosovës. Ai ka paralajmëruar padi ndaj Kuvendit.

Siç kanë thënë ata përmes një komunikate për media, veprimi i sotëm i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës për shkarkimin e Bordit të RTK-së është politik, antiligjor dhe paraqet ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.

Sipas tyre, ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave.

“Arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik. Bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave”, thuhet në njoftim.

Bordi ka njoftuar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar.

“Bordi i RTK-së i bën thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e lirisë së mediave që të reagojnë ndaj këtij vendimi politik dhe arbirtrar të shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.



SPERTK: Kuvendi ta emërojë Bordin e ri të RTK-së

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka njoftuar se është duke i ndjekur me vëmendje zhvillimet që po ndodhin nga ana e Kuvendit të Kosovës në raport me RTK-në.

Si Sindikatë, ata thonë se kanë kërkuar nga Kuvendi që pa humbur kohë, të zhvillojë procedurat për emërimin e Bordit të ri të RTK-së, duke e përfshirë në këtë proces, për mbikëqyrje, edhe Agjencinë Britanike.

“Presim që së shpejti të fillojë procedura në Kuvend për ligjin e ri të RTK-së, rritjen e buxhetit të RTK-së dhe ndërtimin e objektit të ri të RTK-së. Të nderuar kolegë, ne do t`ju mbajmë të informuar rreth çdo lëvizjeje në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit dhe nëse vërejmë shkelje, do t`i ndjekim rrugët ligjore”, thuhet në njoftim.