Arbëri

Bordi i RTK-së: Vendimi për shkarkim prodhon shkelje kushtetuese nga Kuvendi

Valon Ramadani - RTK

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës e ka quajtur të paligjshëm, politik, arbitrar e me pasoja afatgjate për transmetuesin publik vendimin që javën e ardhshme në Kuvend të votohet për shkarkimin e këtij bordi.

Të enjten Kryesia e Kuvendit vendosi që të mërkurën e 7 korrikut të mbajë seancë të rregullt me një nga pikat e rendit të ditës rekomandimin e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

“Votimi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së, prodhon shkelje kushtetuese nga
Kuvendi Kosovës, sepse një vendim i tillë është në kundërshtim me ligjin, shkel të drejtat kushtetuese të anëtarëve të Bordit të RTK-së, që rrjedhin nga mandati i tyre ligjor. Iniciatorët e shkarkimit nuk argumentuan në asnjë prej pretendimeve të tyre se cilën detyrë anëtarët nuk e kishin përmbushur në Bordin e RTK-së. Një qasje e tillë, në aspektin material dhe procedural, e bën vendimin për të shkarkuar Bordin e RTK-së, të paligjshëm, politik, arbitrar dhe me pasoja afatgjate për transmetuesin publik. Ndër të tjera, një procedurë e tillë e ndjekur për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së, e cila nuk është e përcaktuar me ligj, shkel të gjitha parimet themelore, të cilat përcaktohen nga ligjet në fuqi. Bordi i RTK-së konsideron se, fushata politike kundër mediumit të vetëm publik në Kosovë, e konstruktuar mbi të pavërteta dhe pretendime të padëshmuara, synon ta instrumentalizojë transmetuesin publik për arsye politike”, thuhet në reagim të këtij bordi.

Në fund, Bordi i RTK-së ka bërë të ditur se do të njoftojë për vendimin “të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë”.