Me pak modifikime, Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka rishpallur konkursin për drejtor të përgjithshëm të këtij mediumi, pas afër tre muajve nga dështimi i konkursit paraprak.
Kriteri që kandidati i cili synon të bëhet drejtor i Televizionit Publik t’i ketë 7 vjet përvojë pune në menaxhim të mediave, e si pasojë e të cilit kishte dështuar konkursi i kaluar, figuron edhe në konkursin e ri, shkruan sot Koha Ditore.
Por për dallim nga konkursi paraprak, nuk figuron media transmetuese dhe asaj i është shtuar edhe përvoja në fusha të tjera relevante.
Kriteri i tillë nuk është paraparë në Ligjin aktual të RTK-së e as në statutin e saj. Nuk ishte paraparë as në konkursin e tre vjetëve më parë, pasi aty kërkohej vetëm 3 vjet përvojë pune.
Por ky kriter edhe më herët ishte arsyetuar nga kryetarja e Bordit të RTK-së, duke thënë se edhe pse përvoja nuk parashihet në Ligj, i mbetet Bordit të vendosë për kritere. “Duke qenë se po bëhen gati 20 vjet nga paslufta, bordi unanimisht ka vendosur që drejtori i ardhshëm të ketë përvojën e duhur për këtë pozitë kaq të rëndësishme”, kishte thënë Maliqi.
Konkursi i parë ishte anuluar pasi vetëm dy nga pesë kandidatët që kanë konkurruar i kanë plotësuar kushtet e përcaktuara në konkurs. Edhe pse me Ligjin për RTK-në dhe me statutin e saj parashihet që në rast të dështimit të konkursit, Bordi duhet që të rishpallë konkursin, një gjë të tillë Bordi nuk e kishte bërë për rreth 3 muaj. Këtë veprim Bordi e kishte arsyetuar duke thënë se kandidatët që kanë aplikuar në konkurs kanë bërë ankesë dhe se janë në pritje të përgjigjeve nga Inspektorati i Punës. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)