Kryetari i Komisionit, Nahit Hasani, pa asnjë arsye ka larguar mediat nga Komisioni për administratë publike, qeverisje lokale dhe media, në mënyrë arbitrare dhe pa mbështetjen e kolegëve të tjerë deputetë.
Një gjë e tillë bie në kundërshtim edhe me vetë rregulloren e Kuvendit të Kosovës, me të cilën përcaktohet se kur një Komision mund të mbyllet për publikun, raporton KTV.
Sipas kësaj rregulloreje, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm kur diskutohen çështjet konfidenciale të sigurisë në Kosovë, apo të tjera çështje konfidenciale dhe një gjë e tillë bëhet me miratimin e shumicës së votave të atij komisioni.
Në këtë komision, Bordi i RTK-së ka raportuar për dështimin e konkursit të fundit për drejtor të përgjithshëm.
Anëtarët e këtij komisioni thonë se Bordi e ka shkelur ligjin me kriteret që ka vënë në atë konkurs.
Deputeti nga Nisma, Milaim Zeka, pohoi se është përzier roli i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
Me gjithë kundërshtimet nga anëtarët e tjerë të këtij komisioni, konkursin e kanë përkrahur deputetët e PDK-së.
Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, iu kundërpërgjigj të gjithë anëtarëve të komisionit, se Bordi ka vendosur unanimisht për këto kritere.
Konkursi për drejtor të përgjithshëm të RTK-së ka qenë i hapur deri më 3 dhjetor dhe në atë konkurs kanë aplikuar 5 kandidatë, që të gjithë punëtorë të RTK-së.
Në këtë konkurs, kërkohet që kandidati që synon të bëhet drejtor, duhet të ketë përvojë 7-vjeçare në menaxhim të mediave.
Kjo nuk parashihet me Ligjin aktual të transmetuesit publik, por ky kriter është përcaktuar nga bordi drejtues i këtij mediumi.