Arbëri

Bordi i RTK-së e quan politik dhe pa fakte rekomandimin për shkarkim të tij

Foto: Driton Paçarada / KD

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) e ka vlerësuar inicimit për shkarkimin e tij si politik dhe të pabazuar mbi, siç është thënë të vërtetat faktike.

Bordi i RTK-së ka reaguar pas rekomandimit të sotëm të Komisionit për Administratë Publike, Pushtetit Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkim. Vendimi për shkarkim apo jo do të merret në një seancë të radhës të Kuvendit të Kosovës.

“Bordi i RTK-së ka argumentuar dhe faktuar në secilin raportim të komisioneve përkatëse të gjitha vendimet dhe veprimet e veta, në përputhje të plotë me rregulloret e veta dhe ligjin e RTK-së. Kujtojmë se raporti i Auditorit të Pavarur për vitin 2020 e ka cilësuar atë të pakualifikuar, duke renditur si një ndër raportet më të mira të pasqyrave financiare të RTK-së. Sa i përket auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), konfirmojmë se Bordi i RTK-së ka qenë dhe është gjithmonë i hapur të auditohen pasqyrat financiare të këtij mediumi”, thuhet në reagim.

Sipas asaj që është thënë në reagim, “Bordi i RTK-së ka qenë dhe mbetet i hapur për të dhënë përgjigje ndaj Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së për çdo çështje që ka të bëjë me fushveprimtarinë e tij, në çdo situatë dhe rrethanë”.

“Lufta politike kundër mediumit publik, e ndërtuar mbi ‘faktet alternative’, është e padrejtë dhe me qëllim të vetëm të instrumentalizimit të mediumit publik për nevojat politike”, thuhet në reagimin e Bordit të RTK-së, i firmosur nga kryetari Sali Bashota.

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal i ka rekomanduar sot Kuvendit shkarkimin e Bordit të RTK-së me arsyetimin se janë evidentuar “shkelje e keqpërdorime të brendshme”.