Prindërit e disa nxënësve në shkollën “Dardania” në Prishtinë, kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë nga e hëna, si shenjë pakënaqësie ndaj orarit mësimor. Ata vlerësojnë se mbajtja e procesit mësimor nga ora 15:00 për nxënësit e klasës së dytë është i papërshtatshëm dhe i dëmshëm për zhvillimin intelektual të tyre. E menaxhmenti i shkollës thotë se nxënësit do të qëndrojnë në ndërrimin e tretë për vetëm dy muaj
Të hënën, disa nxënës në shkollën “Dardania” në kryeqytet nuk e mbajtën procesin mësimor. Disa prindër të nxënësve të klasave të dyta e bojkotuan mësimin si shenjë pakënaqësie ndaj orarit mësimor, që fillon nga ora 15:00 dhe zgjat deri në 18:25.
Prindërit ankohen se menaxhmenti nuk është konsultuar me ta për çështjen e orarit. Besarta Rrahmani, njëra nga prindërit e nxënësve që e bojkotuan procesin mësimor, ka thënë se kjo ndikon negativisht në psikologjinë e fëmijëve.
“Për ne si prindër, por edhe shkencërisht llogaritet si ndërrimi i tretë dhe pothuajse është ndërrim i natës dhe duke pasur parasysh që fëmijët zgjohen herët, sidomos për prindërit që punojnë dhe qëndrojnë në qëndrim ditor gjatë gjithë ditës dhe pastaj qëndrimi ditor i dërgon në shkollë dhe pastaj prindërit shkojnë i marrin në shkollë dhe unë nuk besoj që ka një mësim efektiv prej orës tre, duke pasur parasysh se fëmijët lodhen gjatë gjithë ditës në qëndrim ditor”, ka thënë ajo.
Ky është viti i tretë që shkolla “Dardania” funksionon me tri ndërrime, për shkak të renovimeve që janë duke u zvarritur.
Nga e hëna, nxënësit e klasave të dyta dhe të treta janë vendosur në ndërrimin e tretë. Më herët, këta nxënës kanë mbajtur procesin mësimor në objektin e shkollës “Xhemail Mustafa”, prej orës 13:00.
Orari i pasdites, sipas Elma Begollit, fëmija i së cilës vijon mësimin në klasën e dytë, ka ndikuar në procesin e mësimnxënies.
“Unë si prind, e kam pasur fëmijën dy vjet në ‘Xhemail Mustafa’ që është ndryshuar orari i mësimit, niveli i mësimit ka rënë për 50 për qind, do të thotë se fëmijët me arritje të shkëlqyeshme kanë rënë në shkallën shumë mirë, e vetmja arsye është për shkak të ndryshimit të orarit të mësimit”, ka thënë ajo.
Prindërit kanë kërkuar që për vendime të tilla, menaxhenti paraprakisht të zhvillojë një analizë mbi ndikimin e orarit mësimor te nxënësit.
“Nuk mund të veprosh vetëm pse e ke në dorë si menaxhment. Për vendime të tilla duhet të zhvillohen edhe analiza të thella, që një gjë e tillë në rastin tonë nuk është bërë”, ka thënë Begolli.
Zëvendësdrejtori i shkollës, Arben Fejza, ka thënë se vendimi që klasat e dyta dhe të treta të vendosen në ndërrimin e tretë është marrë duke u bazuar se vetëm këto dy nivele nuk kanë mbajtur asnjëherë mësim në ndërrimin e pasdites.
“Na kanë mbetur vetëm dy aktive prej 3 deri në pesë, dy aktive që vitin e kaluar kanë qenë paradite, kurse sivjet e kemi bërë një rotacion që të mos u bëhen shumë klasave të katërta dhe të pesta dhe i kemi kthyer të dytat dhe të tretat pasdite”, ka thënë ai.
Fejza ka theksuar se nxënësit pritet të kthehen në orar të rregullt nga muaji nëntor.
“Në bazë të vizitave që kanë bërë donatorët dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, është vlerësuar dhe shpresojmë shumë që brenda nëntorit ta kemi zotimin që të përfundojnë punimet dhe të fillojmë me orar të rregullt nga ora 12:00”, ka thënë ai.
Në shkollën “Dardania” ende janë duke u zhvilluar punimet për renovimin e tetëmbëdhjetë klasave nga një projekt i Bashkimit Evropian që ka nisur tri vjet më parë.