Arbëri

Bojkotimi i mësimit nga profesorët la nxënësit e Gjimnazit matematikor pa notat përfundimtare

Prishtinë, 23 dhjetor - Ditarët në Gjimnazin e specializuar matematikor në Prishtinë kanë mbetur të paplotësuar, ndonëse më 18 dhjetor ka përfunduar gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 20020/2021.

Një pjesë e madhe e nxënësve nuk janë notuar në disa lëndë, meqë profesorët e Universitetit të Prishtinës, të angazhuar aty, e kanë bojkotuar mësimin pasi Ministria e Arsimit nuk iu kishte bërë kontrata të reja dhe nuk ua kishte kryer disa pagesa.

Drejtori i Gjimnazit, Shemsi Berisha, ka bërë të ditur se disa prej tyre pa të drejtë i lanë nxënësit pa vlerësimin përfundimtar. Sipas tij, pasi ka përfunduar gjysmëvjetori i parë, profesorët përmes një e-maili kërkuan që nxënësit të kthehen në shkollë për t’i vlerësuar dhe notuar, por siç thotë, kjo është e paligjshme.

“Në atë e-mail shkruan se përgjegjësia bie mbi mua nëse nuk i thërras nxënësit, kështu që unë nuk e shoh se jam përgjegjës sepse përgjegjës janë këta që i kanë ndërprerë procesin mësimor, i kanë ndëshkuar nxënësit e tash mundohen që përgjegjësinë ta hedhin tjetër kund, kështu që secili le të përgjigjet për punët dhe veprimet e veta. Në këtë mes kanë pësuar nxënësit, ata nuk janë fajtorë”, ka deklaruar ai.

Të shqetësuar që nxënësit kanë mbetur të panotuar janë edhe prindërit, pasi vlerësojnë se fëmijët u ndëshkuan pa të drejtë. Avni Abazi, i cili e ka djalin në klasën e 12-të, thotë se ky veprim i profesorëve të Gjimnazit është i pahijshëm.

“Kemi qenë në takim me drejtorin dhe kemi shprehur shqetësimet tona, por nuk di sa kanë me u marrë parasysh këto shqetësime dhe kur ka me u rregulluar problemi. Momentalisht në disa lëndë janë pa u notuar nxënësit dhe nuk di në çfarë forme kanë me mbërri deri te notimet, ndërkohë që do të fillojë gjysmëvjetori tjetër”, ka deklaruar ai.

E përfaqësuesi i profesorëve të angazhuar në këtë gjimnaz, Elver Bajrami, në një përgjigje me shkrim ka thënë se notat janë të papërfunduara meqë kanë qenë në grevë. Por, ndryshe nga drejtori i shkollës, ai pretendon se të panotuar kanë mbetur vetëm nxënësit që kanë qenë të prekur me COVID.

“Ne kemi kërkuar nga menaxhmenti i shkollës në bashkëpunim me MASH-in dhe DKA-në që ta shqyrtojnë mundësinë ligjore që të vazhdojnë gjysmëvjetorin e parë edhe për tri ditë pune, që të na mundësojnë mbylljen e notave që të mos pësojnë nxënësit edhe përkundër asaj që edhe nxënësit, edhe ne jemi në pushim”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur në lidhje me situatën e krijuar në këtë shkollë.

Më 14 dhjetor, KOHA ka raportuar se 15 profesorë të UP-së të angazhuar në Gjimnazin matematikor e kanë bojkotuar mësimin që nga data 7 dhjetor.

Gjimnazi i specializuar matematikor është themeluar në vitin 2014 nga Ministria e Arsimit. Një pjesë e mësimdhënësve të kësaj shkolle janë të angazhuar nga Komuna, kurse pjesa tjetër nga Universiteti i Prishtinës.

Themelimit të Gjimnazit i kishte paraprirë një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë, Universitetit të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës, ku të tri institucionet i kishin ndarë përgjegjësitë për funksionalizmin e kësaj shkolle.

Sipas memorandumit, detyrë e Ministrisë ka qenë inventarizimi i shkollës, ndarja e buxhetit për këtë institucion shkollor, sigurimi i konviktit për nxënësit që vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës. Meqë Ministria nuk e kishte siguruar konviktin, fillimisht kishte nisur t’u japë nxënësve shujta e më pas ua kishte zëvendësuar me 50 euro në muaj.

Përgjegjësi e Rektoratit ka qenë angazhimi i një pjese të stafit akademik si mësimdhënës në këtë shkollë, kurse Komuna e Prishtinës e ka pasur obligim ta angazhojë një pjesë të stafit të shkollave të mesme, si dhe stafin e administratës, punëtorët teknikë e pastruesit.

Megjithatë, në këtë shkollë vazhdimisht ka pasur probleme, ku përveç se nuk u krijua konvikti, shpesh nxënësve u janë vonuar bursat e edhe profesorëve universitarë që paguhen nga Ministria.