Kosova për herë të parë është ulur në sallën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku edhe ka pasur të drejtën e fjalës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila po qëndron në Strasburg, ka thënë për televizionin publik, se sot për herë të parë Kosovës i është lejuar e drejta e fjalës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Në fakt sot është dita e parë e sesionit të tetorit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Edhe pse është marrë vendim brenda byrosë, sot është marrë miratimi i përgjithshëm që të bëhet votimi brenda seancës plenare, ku na është lejuar e drejta e fjalës për herë të parë dhe gjithashtu i kemi edhe tri ulëse të rezervuara për tre anëtarë të delegacionit", tha ajo.
Bogujevci thotë se fjalën do ta marrin për herë të parë nesër.
“Në mëngjes diskutohet raporti i Georgiou Papandreou, ‘Perspektiva Evropiane në Ballkanin Perëndimor’, ku trajtohet tema Shtetet e Ballkanit Perëndimor, çështja e anëtarësimit në bashkësinë evropiane, kërkesat që u paraqiten shteteve dhe gjithashtu edhe bashkësisë evropiane, e në të njëjtën kohë edhe detyrat që duhet t’i merr Këshilli i Evropës. Pra lidhur me këtë nesër për herë të parë do të arrijmë të flasim”, tha ajo.
Deputetja Bogujevci gjithashtu njoftoi se delegacioni i Kosovës e ka kërkuar fjalën edhe në debate tjera që nuk janë doemos tema që ndërlidhen me Kosovën.
Ndërsa, lidhur me sinjalet pozitive për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, Bogujevci tha se shpresojnë që deri në fund të vitit do të merret një vendim.
“Është e nevojshme që gjatë gjithë kohës të lobojmë,e të diskutojmë për shkak se në momentin që e merr vendimin Këshilli i Ministrave, atëherë vjen për opinion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku përpilohen raporte të caktuara me kërkesë të komisioneve përkatëse dhe në fund mandej mbahet edhe votimi brenda Asamblesë Parlamentare, i cili opinion i kthehet prapë Këshillit të Ministrave”, tha ajo.
Ajo shtoi se kanë pasur kontakte dhe takime për një kohë të gjatë, prej kohës së para aplikimit dhe se qysh nga fillimi është vërejtur një energji shumë pozitive nga vendet anëtare./RTK