Arbëri

Bogujevci - AAK-së: E kemi propozimin tonë për kryeparlamentar, s’na tregoni ju për zot shtëpie

Saranda Bogujevci

Saranda Bogujevci gjatë seancës për konstituimin e Kuvendit

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, i është përgjigjur Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me propozimin për kryeparlamentar, duke thënë se LVV-ja e ka propozimin e saj dhe nuk i tregojnë të tjerët se kush duhet të jetë zot shtëpie i këtij institucioni.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo ka thënë se më parë është cilësuar si “amatore” nga të njëjtët që tani po kërkojnë ta bëjnë kryeparlamentare.

“Ky diskursi i viktimës të së kaluarës sonë të dhimbshme, kur herë të portretizojnë se po të shfrytëzojnë të tjerët e tash këta duan të mendojnë me gjynah për pozicion. Nuk jeni ju ata që na tregoni se kush duhet me qenë zot i shtëpisë më të rëndësishme të Republikës së Kosovës kur me votë e ka vendosë populli. Ne e kemi propozimin tonë dhe atë do ta mbështesim”, ka shkruar ajo në Facebook.

Përfaqësuesit e AAK-së kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë votën e deputetëve të tyre vetëm nëse e propozojnë Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin për kryekuvendare.