Arbëri

Bogdanoviq: Ivanoviqin e vrau Lainoviqi, e urdhrin e dha Veselinoviqi

Oliver Ivanoviq, politikani serb që u vra në veri më 16 janar 2018

Oliver Ivanoviq, politikani serb që u vra në veri më 16 janar 2018

Boban Bogdanoviq, që merret me sport dhe që ka lidhje me disa figura kriminale në Beograd, në një intervistë ër mediat serbe, ka thënë se vrasësi i politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, është Lubomir Lainoviq nga Novi-Sadi, e urdhëruesi i vrasjes, biznesmeni kontrovers nga Kosova, Zvonko Veselinoviq, ka shkruar të martën medium i pavarur serb “N1”.

Bogdanoviq gjatë intervistës për emisionin “Krik”, tha se e ka amanet nga shoku i tij i vrarë, Aleksandar Gligorijeviq, që të zbulojë për publikun vrasësin e politikanit kosovar.

“Më 7 mars 2020, ishte ndeshja e parë e raundit pranveror të Tekstilcit, në të cilën isha i ftuar si mysafir nderi dhe pas lojës u ulëm me Aleksandrin (Gligorijeviq). Folëm për diçka për të cilën nuk e kisha ëndërruar se do të flisnim. Aleksandri më tha kush janë organizatorët, kush është porositësi dhe kush është vrasësi i Oliver Ivanoviqit”, tha Bogdanoviq, përcjell “N1”.

Oliver Ivanoviq, i cili kishte themeluar dhe po drejtonte Iniciativën Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, subjekt ky kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut, është vrarë më 16 janar të vitit 2018.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza deri më tash për vrasjen e Ivanoviqit, ku e para ishte ngritur më 2 dhjetor të vitit 2019. Më 30 dhjetor, prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha kishte paraqitur aktakuzën e dytë, të ndryshuar, në bazë të së cilës u mbajt një seancë parapake më 11 shkurt, 2020.

Në këtë gjykim, të akuzuarit Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u patën deklaruar të pafajshëm për akuzat kundër tyre, ndërsa tre të akuzuarit e mbetur, Zvonko Veselinoviq, Millan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq, ishin në arrati.

Ndërkaq, një aktakuzë e tretë është ngritur në nëntor të vitit 2020, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën e dytë të Prokurorisë Speciale, pas kërkesës së palës mbrojtëse, të cilët apeluan vendimin.

Veselinoviq, bashkë me Radoiçiqin janë futur edhe në listën e zezë të SHBA-së për shkak të veprimtarisë së tyre.