Arbëri

Bllokohet nisma e Komunës së Obiliqit për t’ia dhënë një kompanie 55 hektarë të KEK-ut

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka cilësuar të paligjshëm vendimin e Kuvendit Komunal të Obiliqit, me të cilin synohej t’i merreshin afro 55 hektarë KEK-ut e t’i jepeshin një kompanie angleze. Autoritetet lokale nuk komentuan mbi vendimin e Ministrisë, e opozita e mirëpriti atë

Në shpërputhje me ligjin është vlerësuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) vendimi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, i cili parashihte t’i merreshin afro 55 hektarë tokë KEK-ut për t’ia dhënë një kompanie angleze.

Në vendim thuhet se akti është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. E përmbajtja e aktit si dhe obligimet ndaj palëve të tjera, sipas Ministrisë, janë në përgjegjësi të komunës.

“Baza ligjore e Vendimit Nr. 01060013334-24 për shpalljen në interes të përgjithshëm publik për njësitë kadastrale në zonën kadastrale në Milloshevë dhe Obiliq, është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, me arsyetimin se Neni 27 i ligjit përcakton se komunat kanë të drejtë që për interes publik të kërkojë bartjen në pronësi të pronës së paluajtshme, të cilat janë në territorin e komunës dhe tani administrohen nga institucionet qendrore”, thuhet në arsyetimin e vendimit të MAPL-së. “Ndërsa vendimi i miratuar nga ana e kuvendit në bazën ligjore thirret në nenin 27 të Ligjit Nr. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës për bartjen e pronës nga institucionet qendrore, ndërsa në përmbajtje më poshtë të vendimit thotë se do t’i ndjekë procedurat e shpronësimit në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI)”.

Në vendim theksohet se Kuvendi i Komunës së Obiliqit duhet që të ndërmarrë veprime që ta rishqyrtojë aktin dhe ta harmonizojë sipas legjislacionit në fuqi.

Edhe pse vendimi është miratuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, në dokumentin e Ministrisë ku është dhënë vlerësimi i ligjshmërisë figuron data e miratimit 31 janar 2024, kurse i parashtruar për shqyrtim në MAPL më 6 shkurt 2024.

Në Komunën e Obiliqit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, në lidhje me vendimin.

Njëjtë ka vepruar edhe Korporata Energjetike e Kosovës, e cila në nëntor kur është miratuar vendim, nuk ka qenë fare e njoftuar.

E Sami Ahmeti, shef i Grupit të kuvendarëve të Vetëvendosjes në Obiliq, tha se vërejtje janë bërë edhe për lehtësinë me të cilën është tentuar tjetërsimi i këtyre pronave.

“Vërejtja e dytë e jonë ka qenë se kjo pronë parashihej t’i jepej një organizate ose një ndërmarrjeje nga Anglia, e cila ishte edhe për ne shumë e dyshimtë. Kjo bënte që ta mbyste mundësinë e tjerëve që të konkurrojnë për pronë potencialisht. Dhe ne kemi votuar kundër, sepse kemi menduar se është shkelje”, ka theksuar Ahmeti.

Me vendimin e Kuvendit Komunal të Obiliqit, rreth 55 hektarë të KEK-ut shpalleshin prona me interes. Ato synohej t’i jepeshin kompanisë angleze “Chayton Capital”, që sipas komunës, do ta realizonte një projekt strategjik dhe do të krijonte 100 vende të punës. Por, projekti fliste për ngritjen e një depoje.

Përfaqësues të kompanisë i patën thënë KOHËS se janë të përfshirë në investime në pasuri të paluajtshme dhe burime të ripërtritshme kryesisht në Evropën Qendrore e Lindore dhe Evropën Juglindore. Kjo veprimtari nuk përkonte me projektin me të cilin Kuvendi Komunal arsyetoi vendimin.

© KOHA Ditore