Fillimi i realizmit të shtatzënisë së asistuar mjekësore në QKUK për gra e çifte që kanë probleme për shtatzëni natyrale është bllokuar nga mosmiratimi i ligjit nga deputetët dhe nga ngecjet e Ministrisë së Shëndetësisë në kryerjen e punëve.
Një ligj për frytnim të asistuar mjekësor që do e zëvendësonte Udhëzimin Administrativ për këtë çështje ka dështuar disa herë të kalojë në Kuvend deri tash këtë vit.
Ky ligj është konsideruar parakusht që Qendra Klinike Universitare e Kosovës të fillojë aplikimin e metodës së IVF-it ose frytnimit të asistuar mjekësor për çiftet dhe gratë që kanë vështirësi të kenë fëmijë në rrugë natyrale.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është optimist që ligji do të kalojë në sesionin vjeshtor, megjithatë pavarësisht kësaj ka vonesa në përgatitjen e punëve që aplikimi i IVF të fillojë menjëherë në rast që ligji miratohet.
Një plan i publikuar në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë në marsin e këtij viti kishte dhënë kohën se kur do të finalizohej secili hap drejt funksionalizimit të këtij shërbimi.
“Sigurimi i pajisjeve të nevojshme TM 1 2023 800,000 mijë euro”, thuhet në pikën 1.3 të këtij plani.
TM1 në gjuhën e menaxhimit të financave nënkupton tremujorin e parë të vitit. Në tremujorin e tretë, pra në muajin gusht, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se procesi është në fazën e vlerësimit të ofertave.
“MSh ka zhvilluar aktivitetin me titull “Furnizim me pajisje mjekësore, instrumente mjekësore për njësitë organizative të QKUK-së” dhe me nr. prokurimi 206-23-4215-1-1-1 me 34 pjesë (lote), ku përfshihet edhe pjesa e IVF në Klinikën e Gjinekologjisë me Obstetrikë. Ky aktivitet është në fazën e vlerësimit të ofertave dhe presim që sa më shpejt që kemi mundësi të procedojmë vendimin e AK-MSh për secilin lot”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie”, thuhet në përgjigjen e MSH-së .
E në pikën 1.5 të planit, të publikuar në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, flitet për hartimin e procedurave standarde operative dhe kritereve për trajtim me FAM e që planifikohej të bëhej gjatë vitit 2023.
KOHA e ka pyetur MSH-në se çfarë është bërë deri në gush në këtë pikë. Kësaj pyetjeje nuk i është përgjigjur ky institucion.
Plani për vënien në shërbim të qytetarëve me metodën e IVF-it parashihte gjatë vitit 2023 edhe ndryshimin e një udhëzimi administrativ, gjë që nuk ka ndodhur ende, por në përgjigjën e MSH-së thuhet që po punojnë për një gjë të tillë.
“Puna në UA për bashkëpagesa është në fazën përfundimtare dhe pritet të finalizohet në një afat optimal”, thuhet në përgjigje.
Në një pikë tjetër të planit flitet për rekrutim shtesë të stafit për diagnostikim citogjenetik/amniocentezë. As kjo pikë e planit nuk ka filluar realizimin, konfirmon Ministria e Shëndetësisë.
“Lidhur me këtë akoma nuk është filluar procedura, mirëpo MSH do të marrë veprimet e duhura”, thuhet në përgjigje.
Në pikën 9 të planit flitet edhe për standardizimin e dokumentacionit mjekësor për citogjenetikë/amniocentezë. Kjo në dokumentin e MSH-së thuhej që do të përfundohej në intervalin kohor korrik-shtator. Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në këtë pyetje konkrete.
Ministri Arben Vitia ka thënë se ligji disa herë ka dështuar të kalonte, por është optimist që do të miratohet së shpejti.
“Ndërkohë kemi pasur biseda edhe me deputetë që kanë qenë dyshues dhe ndoshta me të drejtë kanë kërkuar diskutime të mëtutjeshme dhe ne do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe shpresoj shumë që gjatë sesionit vjeshtor të këtij viti ky ligj do të kalojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Vitia.
Vitia të gjitha vonesat në planin për funksionalizim të IVF në SHSKUK i ka lidhur ditë më parë me proceset e prokurimit. Pavarësisht që institucioni që e menaxhon ai ka konfirmuar që në disa pika nuk ka ende rezultat, ai ka thënë që është optimist që IVF do të ofrohet së shpejti në QKUK.