Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka ngecur me reformën në administratë. Brenda gjashtë muajve në këtë dikaster qeveritar kanë dështuar 12 konkurse të brendshme duke i hapur rrugë rekrutimit jashtë administratës shtetërore. Një nga konkurset ishte edhe ai për inspektorë të tregut, në të cilin aplikuan 90 nëpunës civilë, por që, sipas MINT-it, asnjëri nuk ishte i përshtatshëm
Reforma në administratën publike është cilësuar si objektiv kyç në programin qeverisës. Por, kjo politikë ka ngecur në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në të cilën për gjashtë muaj kanë dështuar 12 konkurse të brendshme.
Pjesa më e madhe e tyre ishte për pozita të larta udhëheqëse.
Së fundmi MINT-i ka hapur konkurs të jashtëm për 27 inspektorë, pasi katër muaj më parë dështoi konkursi i brendshëm, ani se në të aplikuan rreth 90 nëpunës civilë.
Sipas MINT-it, nga 69 kandidatë që kaluan kriteret minimale, asnjëri nuk arriti ta kalonte fazën e vetme testuese, atë të intervistimit me gojë.
Në listën që e ka siguruar KOHA ka punonjës të administratës që kanë përvojë të gjatë në shërbimin civil.
Burime brenda këtij dikasteri thonë se dështimi i konkursit është bërë qëllimshëm që të hapet konkurs i jashtëm e me kritere më të ulëta sesa për të brendshmin.
“Është e pamundur që nga 90 nëpunës civilë, të cilët kanë përvojë, asnjë të mos jetë i përshtatshëm për këtë pozitë. Ka pasur nëpunës civil që ka përvojë deri në 20 vjet në shërbim civil e nuk është pranuar. Arsyeja pse ka pasur kaq shumë aplikime është se paga me Ligjin e ri është më e mirë sesa në pozitat që ata kanë, është rreth 700 euro. Tash është hapur konkurs me kritere shumë më të ulëta sesa konkursi i brendshëm”, ka thënë një burim i Kohës, brenda kësaj ministrie.
Opozita e ka kritikuar Qeverinë për dështim të konkurseve dhe punësim të militantëve, për çka zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një mbledhje të Komisionit për Integrime Evropiane në maj, tha se janë të lumtur që kanë aktivistë të cilët janë ekspertë.
“Nuk mendoj nëse është gabim që Besnik Bislimi emërohet në një ndërmarrje publike, sepse është makroekonomist. Nëse Bislimi emërohet vetëm se është militant politik e me shkollë të mesme, ky është problemi. Nëse kemi aktivistë që përmes konkurseve dëshmojnë se e meritojnë një vend të punës, ne do të jemi të lumtur, sepse në radhët tona kemi ekspertë”, ka thënë Bislimi.
Gjatë këtij viti në MINT ka dështuar edhe konkursi i brendshëm për udhëheqës të departamenteve, divizioneve e agjencive që veprojnë në kuadër të Ministrisë. Moszgjedhja e tyre ka ndikuar që këto pozita të udhëhiqen me zëvendësues, disa prej të cilave në kundërshtim me ligjin.
KOHA ka kërkuar nga MINT-i sqarime nëse janë respektuar afatet ligjore për zëvendësimin e tyre, por nuk ka marrë përgjigje.