Punimet për ndërtimin e ujësjellësit, që kishin nisur në vjeshtë të vitit 2019, për furnizim me ujë të pijshëm të fshatrave Bogë dhe Shkrel, është dashtë të përfundonin në nëntor të vitit të kaluar. Por në terren punimet e vetme që janë kryer deri tash janë disa qindra metra trase për hapjen e kanalit dhe shtrirjen e gypit të ujit.
Punimet janë ndërprerë tash e një kohë pas kundërshtimeve të banorëve të fshatit Stankaj, të cilët nuk po lejojnë marrjen e ujit në burimin nga i cili furnizohen ata vetë.
Banorët pretendojnë se qëllimi i vetëm i këtij projekti është furnizimi me ujë i vilave të pushtetarëve të Pejës dhe të disa politikanëve të tjerë, që i kanë ato në fshatin Shkrel.
Për dallim nga banorët e Stankajve, banorët e Bogës dhe ata të Shkrelit shpresojnë që ky projekt i Komunës në vlerë prej 244 mijë eurosh të mos dështojë.
Për këtë çështje KOHA ka tentuar të flasë me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, por ai nuk ka pranuar.
Punimet në këtë projekt Komuna kishte tentuar kohë pas kohe t’i vazhdojë, madje edhe në shoqërim të policisë.
Banorët janë ankuar edhe në Ministrinë e Mjedisit, e cila, sipas drejtorit të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina, i ka ndalur ato në mungesë të pëlqimit mjedisor.
E ndërkohë, projekti i këtij ujësjellësi ka përfunduar edhe në duart e organeve të hetuesisë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, konfirmoi se lidhur me këtë projekt janë duke u zhvilluar hetime dhe se deri tash janë ndërmarrë disa veprime, por pa treguar se çka është në fokus të hetimeve.