Arbëri

Bllokohen llogaritë e Telekomit

Sot janë bllokuar llogaritë e Telekomit të Kosovës si pasojë e borxhit ndaj Z-Mobilet, ka konfirmuar për KOHËN kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj. 

"Po llogaritë janë bllokuar", ka thënë Balaj.

Para disa ditëve  Balaj, kishte thënë se Telekomi i Kosovës i ka gjashtë muaj afat të paguajë borxhin afro 23 milionë euro ndaj Z-Mobilet, përndryshe do të bllokohen xhirollogaritë.

Ai kishte treguar se është mbajtur një takim mes Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësuesëve të Telekomit dhe atyre të Z-Mobile. Edhe pse nuk ishte i pranishëm, Balaj tha se Qeveria dhe Telekomi kanë ofruar 250 mijë euro në muaj si ofertë për marrëveshje, por ka shtuar se kjo s’është pranuar nga Z-Mobile.

Në një përgjigje për KosovaPress, Telekomi sqaron se kanë pasur dy takime me përfaqësues të kompanisë “Dardafon”, kompania amë e Z Mobile, e që duket se nuk kanë dhënë fryt.

“Telekomi i Kosovës, i vetëdijshëm për gjendjen e krijuar në vazhdimësi, ka realizuar takime të përbashkëta me aksionarin (Qeverinë) dhe kompaninë ‘Dardafon’ për të gjetur zgjidhjen. Së fundmi janë mbajtur dy takime ku prezent ka qenë ministri dhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Ambientit dhe përfaqësuesit e ‘Dardafon’ për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në përgjigjen e Telekom.

Më tej, thuhet Telekomi ka propozuar që riprogramimi i borxhit të bëhet për 5 vjet ndërsa pas diskutimeve dhe ndërmjetësimit të qeverisë në parim është vendosur që borxhi të paguhet për dy vjet.

Sipas Telekomit, një konfirmim i tillë ju është dhënë përfaqësuesve të “Dardafon” edhe nga vet kryeministri i vendit në një takim javën që shkoi.

“Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit ju kanë kumtuar përfaqësuesve të ‘Dardafon’ se qeveria do të ndërmjetësojë këtë marrëveshje dhe do të jetë garantues i saj që borxhi të paguhet brenda dy vitesh. I tërë procesi proceduralisht është shtyrë për disa ditë për shkak se disa zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë qenë të infektuar me virusin COVID19”, vijon përgjigja e Telekomit.

Mirëpo edhe pas zotimeve të vet kryeministrit dhe dakordimit që marrëveshja do të nënshkruhet këtë javë, Telekomi thotë se zyrtarët e “Dardafon” me një e-mail kanë kërkuar nga përmbaruesi i tyre që t’i bllokojë llogaritë e Telekomit.

“Kjo që ka ndodhur sot ka qenë një thyerje e marrëveshjes se arritur tashmë dhe kështu kanë rrezikuar skajshmërisht funksionimin e ndërmarrjes. Kërkojmë që menjëherë të zhbllokohen llogaritë tona dhe kështu t’i hapin rrugë marrëveshjes”, thuhet nga Telekomi.

https://www.koha.net/arberi/241782/z-mobile-i-jep-telekomit-afat-6-muaj-per-te-paguar-borxhin/