Arbëri

Bllokimi i kanalizimit në Gërlicë përmbyt një fushë, rrezikohen edhe shtëpitë

Bllokimi i kanalizimit në fshatin Gërlicë të Ferizajt ka bërë që ujërat e zeza ta vërshojnë fushën përreth. Një nga banorët e prekur druan se mund t’i përmbytet shtëpia dhe t’i helmohen bagëtitë. E në Komunë kanë thënë se bllokimi i kanalizimit është problem që ka lindur prej kur janë zhvilluar punimet në autostradën “Arbër Xhaferi”

Ismet Gashi u detyrua t’i largojë bagëtitë nga stalla, nga frika se ato mund të helmohen nga ujërat e zeza që e kanë vërshuar fushën përreth objektit në Gërlicë të Ferizajt.

Nga ujëra që dolën pas bllokimit të kanalizimit kryesor në fshat, Gashi druan se mund t’i vërshohet edhe shtëpia.

“Me këto problemet e ujërave kemi një kohë që po ballafaqohemi, sepse këtu kanalizimi i fshatit edhe i Ferizajt vjen përreth hekurudhës. Gjithçka rrezikohet, rrezikohet edhe struktura e tokës, boniteti, mikroorganizmat, flora, fauna e …. tokës më është prishur, edhe tokat për një kohë nuk kam as çka ta shfrytëzoj këtë tokë fare hiç”, ka thënë Gashi.

Gashi tregon se, për këtë, disa herë është ankuar në Komunë, por zgjidhje nuk i është bërë.

“Ne jemi ankuar në Komunë, kemi qitur shkresa dhe parashtresa në Drejtorinë e Urbanizmit, në Drejtori të Infrastrukturës, por askush nuk ka ardhur të këqyrë, premtime kanë dhënë të gjithë këta njerëz, mirëpo askush nuk erdhi t’i rregullojë këto kanalizime dhe kështu kam mbetur, jam fundosur në këto ujëra”, ka thënë ai.

Në Komunë kanë thënë se bllokimi i kanalizimit është problem që ka lindur prej kur janë zhvilluar punimet në autostradën “Arbër Xhaferi”.

Drejtori i Infrastrukturës, Meriton Hajdini, ka deklaruar se dëmi që nuk ka mundur të sanohet, ka ndodhur kur dheu i gërmuar për autostradë, është hedhur në një parcelë private.

“Nuk ka pasur mundësi të gjendet zgjidhja në segmentin e vjetër ekzistues pasi që është një kanalizim që ka qenë mbi katër metra i thellë dhe po nga mbushja e dheut në këto parcela tashmë nga pronat private që i ka bërë secili në mënyrë vetanake në atë zonë është mbushur dhe tashmë mund të themi që është mbi gjashtë metra thellë kanalizimi, gjë që nuk ka pasur mundësi nëpërmjet operatorit me mirëmbajtje të rregullohet”, ka thënë Hajdini.

Ai thotë se synohet të bëhet një zgjidhje.

“Ne na është dashur të planifikojmë dhe të bëjmë një projekt të ri, kemi nisur procedurat dhe tashmë javën që shkoi kemi arritur në përfundimin e procedurave dhe kemi një operator ekonomik që do të merret me zgjidhjen e segmentit të ri të kanalizimit në këtë rrugë”, ka shtuar ai.

Në këtë fshat është bërë edhe hapja e një kanali, nëpërmjet të cilit ujërat e zeza derdhen në lumin Nerodime.