Arbëri

Blick shkruan për vrasjen në Klinë: Viktima dhe i dyshuari kishin lidhje familjare

Mediat zvicerane kanë shkruar për vrasjen e 48-vjeçarit në Klinë i cili ishte banor i Luzernit.

Gazeta Blick ka raportuar se L.P. i cili ishte me pushime në Kosovë është vrarë në një lokal në Klinë nga 48-vjeçari T.F.

Të dy raportohet se kanë pasur lidhje familjare me njëri-tjetrin.

“Në orën 16:40 të së hënës, T.F. hyn i armatosur në Coyote Lounge Bar në Klinë, një qytet i vogël në veri-perëndim të Kosovës. Ai ka vetëm një synim: 47-vjeçarin L.P. i cili ishte pronar garazhi në kantonin e Luzernit. Ai supozohet të ishte me pushime në Kosovë”, thuhet në lajmin e Blickut.

Blick tutje raporton se viktima është qëlluar shtatë herë me armë zjarri duke vdekur në vendin e ngjarjes.

“Autori del nga lokali me armë në dorë, jashtë ndal një veturë, kërcënon shoferin dhe largohet. Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, duke ia gjetur më vonë veturën, por asnjë gjurmë të tij”, shkruan gazeta zvicerane.

P.E. i cili e njihte viktimën që në fëmijëri dhe ishte shoku i tij më i mirë ka thënë për Blick: “Gjithmonë kemi qenë në rrugë së bashku, në Kosovë dhe në Zvicër. Ai ishte një biznesmen i suksesshëm me zemër të madhe dhe gjithmonë përpiqej t’i ndihmonte njerëzit”.