Biznesmenit Shkëlqim Devolli i është ndërprerë posti diplomatik që pati marrë më 2019 në emër të Republikës së Kosovës, ka njoftuar ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ai qe emëruar Konsull Nderi i Kosovës në Mal të Zi për rrethin konsullor të Rozhajës atë vit.
Vendimi është marrë, siç ka shkruar Gërvalla, si pasojë e dokumenteve të Devollit ku Peja figuron si qytet në Serbi.
Gërvalla ka thënë se kushdo që mohon shtetësinë e Kosovës nuk mund të jetë përfaqësues i Kosovës.
“Zero tolerancë ndaj mohuesve të Republikës së Kosovës. Asnjëherë "Peć, Serbia" por Pejë, Republika e Kosovës. Dje ka marrë fund mandati i z. Shkelqim Devolli si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Mal të Zi për rrethin konsullor të Rozhajës. Ky vendim i marrë në momentin që jam informuar për këtë rast është i pakthyeshëm. Qëllimi është i qartë, mbrojtja e dinjitetit të Republikës së Kosovës nga çdo përpjekje për mohimin e saj”, ka shkruar ajo në Facebook.
Gërvalla ka shtuar se Devolli ka regjistruar biznes me adresë serbe dhe ka përhapur propagandë kundër shtetit, duke investuar miliona “për të njollosur imazhin e Kosovës në opinionin publik”.
Postimi i Gërvallës:
Për këtë ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Nuk mund ta përfaqësojnë Republikën ata që e mohojnë atë. Peja është në Kosovë, kurrë në Serbi”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndërkohë, biznesmeni Devolli në një deklaratë publike ka thënë se nënshtetësinë e Malit të Zi e ka para se Kosova të shpallte pavarësinë. Sipas tij dokumentet që i ka publikuar Gërvalla, janë të njëjta sikur të qytetarëve të tjerë që e kanë marrë nënshtetësinë e Malit të Zi para se ky shtet ta njihte Kosovën si të pavarur.
“Ka shtete, të cilat edhe pasi që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë vazhduar që në dokumente zyrtare t’i shkruajnë emërtimet e vendbanimeve të Kosovës si të Serbisë. Këtë e ka bërë edhe shteti i Gjermanisë deri para pak kohësh, edhe pse ka 17 vjet që e ka njohur shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai.
Devolli ka thënë se kjo ka qenë përpjekje e Gërvallës “për t’i kthyer dështimet e saj, si dështime të qytetarëve të Kosovës”.
“I takon dhe i ka takuar politikanëve të punojnë që Kosova dhe dokumentet e Kosovës të pranohen nga shtetet e tjera. Unë, si individ, nuk mund ta bëj këtë!” ka shtuar ai.
Deklaratën e Gërvallës e ka quajtur sulm dhe insinuatë, teksa ka shtruar pyetjen se përse ky veprim i saj nuk është ndërmarrë më herët.
Raportimi i KOHËS në vitin 2019 për emërimin e Devollit si Konsull Nderi: