Në tokën ku gjendet Fakulteti Teknik, për të cilën janë ngritur dyshime për parregullsi gjatë bartjes së pronësisë, tre biznesmenët që pretendojnë se trualli u takon atyre, kanë filluar ta shfrytëzojnë hapësirën, duke i parkuar disa kamionë. Rektori Arben Hajrullahu ka kërkuar që çështja të trajtohet nga organet e rendit
Janë kthyer sërish në agjendë të Rektoratit tre biznesmenë, që para dy vjetësh ia kërkonin mbi dy milionë euro Universitetit të Prishtinës, me pretendimin se ky institucion ua ka shfrytëzuar pronën tash e 13 vjet.
Në oborrin ku gjenden laboratorët e Fakultetit Teknik, ata kanë parkuar disa kamionë.
Për këtë veprim, pretenduesit e pronës nuk kanë kthyer përgjigje. Por në një bisedë përmes telefonit të hënën, njëri nga biznesmenët tha se vendosja e kamionëve është bërë pa komunikim paraprak me Rektoratin.
E të enjten, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, u shpreh se nuk do të negociojë me ta.
“Unë ju kam dhënë instruksione të qarta që askush nuk guxon të hyjë me pretendues të pronës në negociata, ata i kanë kërkuar negociata menaxhmentit, nuk i njoh si palë, nuk do t’i njohim si palë, çështjen do ta trajtojnë organet e rendit”, tha Hajrullahu.
KOHA ka raportuar para dy vjetësh se tre biznesmenët e kanë blerë parcelën më 2021-tën, nga një pronar të cilit më 2003 i ishte bartur prona publike me aktvendim të Gjykatës së atëhershme komunale të Prishtinës, më 1998.
Në një raport që e ka nxjerrë vitin e kaluar Komisioni Parlamentar për Mjedis thuhet se nuk ka asnjë dëshmi që është mbajtur ndonjë seancë gjyqësore. Në raport theksohet se ka dyshime që pronari i parë ka qenë një person fiktiv, meqë nuk është hasur në evidencat e regjistrave civil.
E Hajrullahu tha se duhet të hetohet procesi i zhvilluar në vitin 2021, kur prona është bartur në emër të pronarëve të rinj.
“Ajo pronë para tre-katër vjetësh është përkthyer në certifikatë të suksesshme të pronës nga komuna. Kur e lexon raportin e Kuvendit të Kosovës, ato sipas raportit, që unë nuk po ia bëj gjyqin kërkujt, por sipas raportit aty ka elemente të krimit të organizuar”, tha Hajrullahu.
Sipas Hajrullahut, kamionët janë hequr nga oborri i laboratorëve pas ndërhyrjes së Policisë.