Udhëheqësit e bizneseve të cilët kanë kaluar kufijtë e Kosovës me idetë e tyre inovative duke depërtuar në tregje botërore, janë ankuar për mos përkrahje nga institucionet qendrore ashtu edhe lokale.
Këto ankesa ata i kanë adresuar gjatë emisionin “Ekonomia me Erëzën”.
Drejtuesi i Innovation Centre Kosovo, Uranik Begu ka thënë se liderëve vendorë po u mungon vizioni ekonomik.
“Ne si qendër shumë herë kemi kërkuar përkrahje nga komuna si dhe institucionet qendrore, por deri më tani kjo nuk ka ndodhë, madje as kur e kemi promovuar vendin në ngjarje të rëndësishme botërore. Liderët tanë vendorë nuk kanë vizion ekonomik dhe për këtë arsyeje jemi në këtë gjendje ekonomike”, u shpreh Begu, transmeton koha.net.
Nga ana tjetër, kryetari i kryeqytetit Shpend Ahmeti thotë se i kanë mbështetur me aq sa kanë mundur këto biznese.
“Nuk është ICK-ja e vetmja që ofron edhe pse është më e mira. Por, po besoj që ata nuk kanë pasur nevojë për ndihmën tonë. Ne do t’i ndihmojmë si atyre si gjithë bizneset tjera me aq sa kemi mundësi”, u shpreh Ahmeti për emisionin “Ekonomia me Erëzën”.
Të njëjtën përkrahje e ka premtuar edhe këshilltari për ekonomi i kryeministrit të vendit, Sokol Havolli.