Që nga liberalizimi i vizave gjendja në sektorin e gastronomisë nuk është e njëjta siç ka qenë më parë. Bizneset tashmë po përballen me mungesë të punëtorëve dhe mungesë aktiviteti në lokalet e tyre. E vazhdimësia e këtyre dy problemeve, po ndikon edhe në mbylljen e bizneseve.
Pronarët e disa prej bizneseve të frekuentuara në Prishtinë, kanë theksuar se nga janari i këtij viti, shumë punëtorë kanë lënë punën dhe se zëvendësimi i tyre është shumë i vështirë.
Po ashtu, edhe ekonomistët këtë situatë me migrimin e punëtorëve të gastronomisë po e konsiderojnë shqetësues. Sipas tyre, Qeveria duhet t’i ndihmojë bizneset me subvencione, sepse ato e kanë shumë të vështirë t’i menaxhojnë këto situata.
Adenis Kastrati i cili menaxhon njërin nga restorantet në Prishtinë, ka treguar se ka mungesë të punëtorëve dhe se ka hapur konkursin për punëtorë, por se nuk ka të interesuar. Sipas tij, të gjithë kanë shkuar jashtë Kosovës dhe po tentojnë të futen në tregun e Evropës.
“Mungesë të punëtorëve ka pasur, sidomos edhe tash kam problem me punëtorë sepse kanë shkuar të gjithë, për momentin është gjendja e mirë po me kohën të shohim, do të marrim punëtorë dhe konkursin e kam publikuar, por nuk dëshirojnë të vijnë. Ka mungesë të stafit, pagat janë të vogla, këto janë arsyet. Në lokalin tonë jemi tre punëtorë, po kemi nevojë për punëtorë, na duhen edhe katër punëtorë, këtu mbajmë edhe ahengje, duhet punëtorë edhe për ahengje, kështu që më duhen dy shankista dhe dy kamerierë, vështirë t’i gjej. Arsyeja është te punëtorët, nuk ka punëtorë, kanë shkuar jashtë vendit”, ka thënë ai.
Edhe Yll Dervishaj që është pjesë e një biznesi të gastronomisë në kryeqytet, ka thënë se nëse vazhdon ritmi i migrimit të punëtorëve të gastronomisë, vera e ardhshme për bizneset nuk do të jetë edhe aq e mirë.
Ai i ka bërë thirrje edhe Qeverisë që të ndërmarrë masa për të ndihmuar këto biznese.
“Besoj që gjatë sezonit do të vërehet sepse punëtorët atë kohë do ta shfrytëzojnë për të punuar jashtë Kosovës. Nuk e di sa mund ta shfrytëzojnë edhe ata për të punuar jashtë vendit, por besoj që nuk do të shkojnë shumë, sepse çdo biznes do t’i rrisë rrogat për t’i mbajtur punëtorët. Janë mbyllur për shkak se ka krizë të pandemisë, kriza tjera, kështu që për këtë arsyeje janë mbyllur. Bizneset më serioze mendoj që dinë ta menaxhojnë këtë pjesë, të shohim se çka po ndodhë. Qeveria nuk ka ndihmuar, sidomos gastronominë fare deri tash, të shohim ndoshta marrin masa. Atyre duhet bërë thirrje të gjithë bizneset të gastronomisë por nuk e di sa e marrin seriozisht”, ka thënë Dervishaj.
Ndërkaq, Flamur Ismajli, menaxher i njërit nga restorantet në qendër të Prishtinës, ka theksuar se ndihmesa e Qeverisë për bizneset të cilat janë në prag të mbylljes do të ishte vendimi më i duhur.
“Mirë kishte me qenë t’i subvencionojë qeveria bizneset shkaku që mos të mbyllen ato, mos të falimentojnë", ka thënë ai.
Se Qeveria duhet të nisë një mbështetje financiare për bizneset, e ka thënë edhe kryetari Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili theksoi se Qeveria tashmë për shtatë vite nuk ka ndihmuar asnjë biznes.
“Duhet një pako kualitative, sepse për një kohë të gjatë Qeveria nuk ka marrë asnjë iniciativë për të ndihmuar bizneset. Në përjashtim vetëm shumën e mjeteve në emër të një shtese që e ka ndarë kohë pas kohë, për një muaj dy apo tre. Është viti i shtatë që nuk është bërë asnjë masë fiskale, kemi dhe ligje që duhet të bëhen me ndryshim plotësimi, për shkak se kanë ndryshuar rrethanat politike, ekonomike, sociale, jo vetëm në Kosovë por edhe në tregun e Bashkimit Evropian dhe atij rajonal", ka thënë Rafuna.
Edhe Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka theksuar se gjendja e bizneseve në Kosovë është në depresion ekonomik.
Ai ka deklaruar se duhet të menaxhohen bizneset të cilat janë në prag të mbylljes dhe se Qeveria duhet t’i subvencionojë me paga të punëtorëve.
“Gjendja e bizneseve që nga liberalizimi, normal është përkeqësuar është një masë e hershme dhe normal edhe për qytetarët Republikës së Kosovës, sido që të ishin kushtet dhe nëse do të ishin shumë ideale, prapë do të kishte problem, sepse njerëzit do të provojnë mundësi më të mirë. Ka ndikuar edhe pjesa e inflacionit, ngritja e çmimeve, tash edhe problemet me punëtorë që i bie në reduktimin e bizneseve të mëdha, po ashtu edhe në mbylljen dhe reduktimin e bizneseve. Kjo situatë, në depresion ekonomik dhe depresion shoqëror, edhe në jetën e natës. Kemi parë që ka pas lokale të cilat janë mbyllur, prandaj duhet t’i shohim të gjitha mundësit se si të menaxhohen. Shteti duhet paraparë dëmet përmes subvencioneve, duke i stimuluar punëtorët sepse grantet 1% janë të dedikuara për biznese të mesme dhe të vogla që i bie 39 milionë dhe ajo është e papërfillshme”, tha Vranica.
Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka treguar se nga periudha janar-mars 2024, janë mbyllur 40 biznese të gastronomisë dhe se të gjitha kanë qenë shuarje në mënyrë vullnetare. /KSP