Arbëri

Bizneset ankohen se punimet në rrugën “Rexhep Luci” po i lënë pa punë

Bizneset ankohen se punimet në rrugën “Rexhep Luci” po i lënë pa punë

Pas disa ditësh pauze, punimet kanë nisur prapë.

Në këtë mënyrë Komuna e Prishtinës ka vendosur që rruga “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, të kthehen në sheshe.

Edhe përkundër masës së përkohshme të Gjykatës Komerciale dhe rrëzimit të dy vendimeve të komunës për t’i mbyllur për qarkullim këto rrugë, punët nuk janë ndalur.

Më 22 nëntor, komuna edhe zyrtarisht i hapi punimet e rënda. Përveç qytetarëve, mbylljen e këtyre rrugëve po e kundërshtojnë edhe bizneset.

Sipas tyre, ky është vendim i shpejtë dhe i pamenduar mirë nga zyrtarët komunal.

Në kushte anonimiteti ata për KOHËN, kanë deklaruar që këto punime do t’i dëmtojnë ata, sidomos tash kur jemi afër festave të fund vitit.

Dilema e tyre qëndron nëse komuna, do t’ua rikthejë tarracat e kafeneve të tyre.

“Ne jemi duke e kundërshtuar projektin për tarraca. Kemi fol me drejtorin e Investimeve Kapitale Krenar Xhaferin, por asgjë konkrete nga ai nuk ka, vetëm fjalë. Gjatë kësaj kohe, do të na i largojnë tarracat e jashtme dhe ne nuk po e dimë  a do të na i rikthejnë më vonë. Ne i kemi shtatë punëtorë dhe do të detyrohemi që t’i largojmë gjatë kësaj periudhe sepse do të ketë reduktim të punës pikërisht kur festat janë afër. Punimet ia nisën ad-hoc dhe pamenduar shumë e ne nuk e dimë se sa do të zgjasin derisa po mbetemi pezull. Nuk e dimë kur do të vendosen as pllakat për tarraca pasi siç e dimë që tek ne punimet zgjasin”, ka thënë një nga pronarët e lokaleve aty.

Në anën tjetër drejtori i investimeve kapitale, Krenar Xhaferi ka thënë se në muajin shkurt do të bëhet planifikimi i terrasave dhe atëherë do të konsultohen me pronarët e kafeneve.

“Shqetësimi ynë qëndron tash që në këtë periudhën dimërore të mos  i shqetësojmë me pjesën e krejt hapësirës. E kemi diskutuar me pjesën e lokaleve që në muajin shkurt do të fillojmë me pjesën tjetër të trajtimit, normalisht që duhet të largohen të gjitha tarracat dhe uzurpimet që kanë ndodhur në hapësirën publike, pastaj është çështje e Drejtorisë së Shërbimeve Publike për pjesën e tarracave se në çfarë forme do të bëhen , i takon  DSHP-së të flas, bashkë me pronarët e lokaleve”, ka deklaruar ai.

Tutje Xhaferi ka thënë se rruga nuk do të jetë e mbyllur varësisht, pasi do t’i pajisin me pistonë ata që kanë leje komunale.

Rrjedhimisht jo për të gjithë qytetarët.

“Kemi filluar rrjetin nëntokësor, është një rrjet mbi 50 vjet. Normalisht ne kemi aty edhe objekte me gropa skeptike që do të trajtohen në tërësi dhe pastaj do të vazhdojmë në pjesën e sipërme të rrugës ‘Qamil Hoxha’. Pjesa e rrugës do të jetë me kalldrëm në kuadër të projektit, hapësira tjetër do të jetë prej pllakave. Trajtimi do të jetë nga objekti në objekt. Rruga do të jetë e ndarë me kalldrëm. Ne nuk kemi asnjë situatë shqetësuese në këtë rrugë sepse jemi duke e trajtuar komplet hapësirën nëntokësore, pastaj kur të vijmë pjesa sipërfaqësore do të ekzistojë rruga me kalldrëm dhe do të ekzistojë pistoni, që do ta bëjë mbylljen e kalimit”, ka thënë ai.

E ashpër me mbylljen e këtyre dy rrugëve, u tregua edhe opozita.

Besart Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, e sheh shqetësuese mbylljen e rrugëve.

“Gjykata Komerciale e ka vendosur masën e sigurisë për shkak të ankesës që ka pasur këtu, pavarësisht kësaj komuna e ka vazhduar punimet këtu. Kjo është edhe shkelje për shkak se mosrespektimi i vendimeve të gjykatës përbën edhe vepër penale kështu që këtu ka punë edhe prokuroria e shtetit. Duhet ta thërrasë kryetarin Rama dhe t’i bëjë përgjegjës për mosrespektim të vendimeve që i lëshon gjykata, kjo është shumë shqetësuese se si Rama bënë shkelje të njëpasnjëshme në mbylljen e rrugëve”, ka thënë Krasniqi.

Për moszbatimin e vendimit gjyqësor, nga Gjykata Komerciale kanë thënë se përgjegjësi në këtë rast duhet të kërkojë prokuroria.

“Gjykata nuk ka mandat ligjor apo mekanizëm të veçantë që të veproj tutje lidhur me zbatimin/mos zbatimin e vendimeve gjyqësore, përpos padive apo propozimeve të iniciuara nga palët në procedurë. Për moszbatimin e vendimeve gjyqësore, kompetente është Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Komerciale.

“KOHA” më 28 gusht 2023 kishte ushtruar padi ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama të marrë më 18 gusht 2023, për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike të rrugëve të kryeqytetit të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, vendim i cili përfshinte edhe rrugët “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha”.