Arbëri

Bislimi: Tema e Asociacionit po fryhet artificialisht, është vetëm njëra nga marrëveshjet

Besnik Bislimi duke raportuar ne Komisionin Parlamentar per Politike te Jashtme

“BE-ja thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet dhe të njëjtën kohë thotë se lista më e gjatë për moszbatimin e marrëveshjeve është nga ana e Serbisë. 33 marrëveshje janë në Bruksel, rangimi bëhet me alfabet, por jo nga aspekti i rëndësisë. Asociacioni është vetëm një nga 33 marrëveshjet. Kush thotë që është më i rëndësishëm ka diçka në ndërdije”, ka thënë zëvendëskryeministri për dialogun, Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për punë të jashtme

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin insiston Serbia, nuk është më shumë e rëndësishme se marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun Kosovë-Serbi. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri për dialogun, Besnik Bislimi, gjatë raportimit për ecurinë e deritashme të negociatave në Bruksel. Sipas tij, zhurma për Asociacionin është artificiale teksa ka transmetuar edhe qëndrimin e BE-së rreth kësaj çështjeje.

“BE-ja thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet dhe të njëjtën kohë thotë se lista më e gjatë për moszbatimin e marrëveshjeve është nga ana e Serbisë. 33 marrëveshje janë në Bruksel, rangimi bëhet me alfabet, por jo nga aspekti i rëndësisë. Asociacioni është vetëm një nga 33 marrëveshjet. Kush thotë që është më i rëndësishëm ka diçka në ndërdije”, ka thënë Bislimi para anëtarëve të Komisionit parlamentar për punë të jashtme.

Partia që i takon Bislimi, Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar Marrëveshjen për Asociacionin edhe nëpërmjet protestave të shumta.

Deputeti i opozitës, Xhavit Haliti (PDK), ka përmendur obligimet që dalin nga Gjykata Kushtetuese sa i përket Asociacionit dhe pronave rreth Manastirit të Deçanit.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin dhe pronat e Manastirit të Deçanit vazhdojnë të jenë fuqi. Kemi edhe një çështje tjetër, për pronën e Kishës në Deçan dhe për këtë çështje janë deklaruar miqtë tanë strategjikë dhe disa vende të BE-së”, ka thënë Haliti.

Bislimi ka mohuar të jetë ngritur çështja e vendimit të Kushtetueses për pronat e Manastirit.

“Jemi të vetëdijshëm se ka vendim të Gjykatës Kushtetuese, por jemi të interesuar për mekanizma që avancojnë të drejtat e komuniteteve dhe të njëjtën kohë të ruhet Kushtetuta. Sido të quhet nuk e di, por jo para një marrëveshjeje për njohje”, ka theksuar Bislimi.

Ai është pyetur edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe nëse kjo është e ndërlidhur me dialogun.

“Ka ide që disa vende anëtare e shohin të ndërlidhur dialogun me anëtarësim në KiE. Për ne me rëndësi është që të jenë të ndara. Për mua është shumë me rëndësi që ky është edhe qëndrimi zyrtar i Brukselit”, ka theksuar zëvendëskryeministri.

Theksin tek zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Asociacionin e kanë vënë zyrtarët e Brukselit gjatë vizitave të realizuar në Prishtinë e Beograd.

Pas marrëveshjes që i dha fund bllokadës disaditore vitin e kaluar në veriun e Kosovës, emisari i dialogut Miroslav Lajçak ka thënë se Asociacioni është tema së cilës duhet dhënë zgjidhje. Sipas tij, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Bashkimi Evropian si lehtësues vazhdimisht ka bërë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara. Kur është fjala për Asociacionin e Komunave Serbe, më lejoni të kujtoj se Kosova ka marrë përsipër një angazhim ndërkombëtar, përmes Marrëveshjes së Brukselit, për të krijuar një Asociacion/Bashkësi të komunave serbe. I takon Beogradit dhe Prishtinës që të negociojnë statutin e saj, me lehtësimin e BE-së. Nëse amendamentet kushtetuese dhe ligjore janë të nevojshme për të krijuar Asociacionin/Bashkësinë, varet nga palët sa janë në gjendje të pajtohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, kanë thënë më herët nga zyra e Lajçakut, në një përgjigje për Kohën.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka fajësuar palën serbe për qasje destruktive, e cila pamundësoi finalizimin e marrëveshjes për targat dhe energjinë. Ai ka zbuluar se një propozim që ka dhënë pala kosovare është njohja e ndërsjellë e targave, pa letërngjitës, me futjen e një klauzole sipas cilës kjo nuk do të nënkuptonte edhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Për targat janë prezantuar disa opsione në përputhje me standardet evropiane. Pala kosovare ka zgjedhur opsionin e vet, por ka munguar nga pala serbe. Ata i kanë kërkuar edhe gjashtë muaj shtesë, për shkak të zhvillimeve pas zgjedhjeve. Kërkesa për ne është joserioze dhe nuk kanë qenë të sinqertë”, ka thënë ai.

Në mungesë të marrëveshjes, sipas Bislimit, Qeveria tash është duke përgatitur planin B rreth targave. Sa i përket energjisë, ai ka sqaruar se janë afër arritjes së një marrëveshjeje, sipas së cilës Kosova do ta shtrijë autoritetin në veri, në kuptim të faturimit dhe distribuimit të energjisë.

Por qeveria është kritikuar për mungesë transparence në këtë proces.

“Fillimisht do të donim të kemi raport me shkrim për këto takime. Jam e bindur se keni edhe tema të tjera që diskutoni, jo vetëm tri’, ka thënë Ariana Musliu-Shoshi (PDK). Ajo pyeti edhe për grupin e ekspertëve që ka Bislimi e qëndrimin e Britanisë së Madhe rreth dialogut.

“Temat që duhet të futen në marrëveshjen gjithëpërfshirëse mendojmë se duhet të ndahen në tri shtylla. Të diskutohen çështjet e së kaluarës, të tashmes dhe së ardhmes. Me britanikët do të kemi takime shtesë për tri angazhime kyç - anëtarësimi në KE, integrimi në NATO dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat”, ka thënë Bislimi. “Temë ka qenë edhe dialogu, pra që të shfrytëzohet periudha e ardhshme prej 18 muajsh për arritjen e marrëveshjes”.

Bislimi njoftoi se në takimet e fundit në Bruksel është diskutuar edhe për çështjen e të pagjeturve, në hartimin e një deklarate-dokument për rritjen e intensitetit. Sipas tij, në takimin e fundit midis palëve Serbia ka tentuar ta ngrejë edhe “çështjen e të zhvendosurve brenda vendit”, por pala kosovare ka refuzuar.

Për mundësinë e takimeve të nivelit të lartë, Bislimi ka shtuar se nuk ka një datë kur ai mund të ndodhë.

Sa i përket fajtorit për ngecjet në dialog, korrespodenti i Kohës në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se emisari i dialogut ka drejtuar gishtin kah të dyja palët për mungesë rezultatesh.

“Në BE zakonisht me gisht tregojnë nga palët duke thënë se mungesa e vullnetit nga të dyja palët ka bërë që të mos ketë më shumë rezultate. Në anën tjetër, pikërisht mungesa e këtyre rezultateve ka bërë që të mos ketë takime në nivel të lartë. Siç dihet, përfaqësuesi i lartë Borrell kishte thënë se ai nuk do të ftonte liderët në Bruksel për t’u takuar në rast se nuk ka shenja të qarta paraprake se ata kanë vullnet për të arritur përparim konkret në një takim të tillë”, ka thënë Palokaj. Sipas tij, është pikërisht Asociacioni që po pengon arritjen e rezultateve pozitive në dialog.

“Jozyrtarisht nga BE-ja është thënë se sa i përket çështjes së energjisë dhe targave, më shumë interes për një zgjidhje ka pasur nga pala kosovare, ndërsa pala serbe më shumë ka qenë e interesuar për një ‘status quo’. Siç duket, pala serbe nuk dëshiron të pranojë asnjë marrëveshje përderisa të mos ketë bisedime për pjesën e marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kjo duket se tash po bëhet pengesa kryesore”, ka deklaruar Palokaj.

Në anën tjetër, dialogu ka qenë temë diskutimi në takimin që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pasur me ambasadorin e SHBA-së në Beograd, Chris Hill. Sipas njoftimit të Presidencës së Serbisë, pati pajtim që të gjitha përpjekjet të përqendrohen në arritjen e rezultateve konkrete prej këtij procesi.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit me ambasadorin amerikan, Vuçiq ka “theksuar përpjekjet e Serbisë që kanë për qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe se Serbia është nismëtare e disa projekteve që lidhin në mënyrën më të mirë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Ne po ashtu mbështesim nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë që kjo nismë të zhvillohet më shpejt”, citohet të ketë thënë ambasadori Hill.

Nisma “Ballkani i Hapur” si vazhdimësi e “Minishengenit” ishte iniciuar në Novi-Sad të Serbisë, në tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kosova ka refuzuar t’i bashkohet kësaj nisme.