Arbëri

Bislimi: Serbia ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

Bislimi

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia ishte e interesuar për vetëm një pikë të marrëveshjes bazike, atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bislimi ka bërë të ditur se deri më 18 korrik do të dërgojnë komente me shkrim mbi marrëveshjen bazike, aty ku zëvendëskryeministri i Kosovës pret që të dëshmohet se Serbia nuk e respekton marrëveshjen. Pas 18 korrikut, Bislimi ka thënë se BE-ja do të bëjë propozim me komentet e palëve.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Por Petkoviqi ishte i interesuar vetëm për një pikë që nënkupton aprovimin e draftstatutit evropian. Pale serbe tha se mund të diskutojmë për pika të tjera pasi të ecet përpara me zbatim të Asociacionit. Ndërsa pala kosovare ka pasur propozime për secilën pikë dhe është e rëndësishme që marrëveshja bazike të pranohet në plotëni. Kemi kërkuar që plani i sekuencimit të jetë gjithëpërfshirës pasi s’mund të dizajnojmë 10 plane të sekuencimit. Kërkesa e Lajçakut ka qenë që deri më 18 korrik të dërgojmë komentet tona me shkrim për këtë marrëveshje, propozimet do të bëhen të njohura edhe për palët dhe kjo do të tregojë se Serbia nuk do ta respektojë marrëveshjen”, ka thënë Bislimi pas takimit.

Një tjetër temë e diskutuar në takimin trepalësh ishte edhe marrëveshja për energjinë. Bislimi ka thënë se ka dyshimet që “Elektroseveri” po e shkel marrëveshjes.

“Marrëveshja për energjinë po ec më ngadalë sesa kemi pritur. Ka dyshime për shkelje nga ‘Elektroseveri’. E përdor termin ‘Kosovska Mitrovica’ që është term jokushtetues, përdor kod postar të strukturave paralele. Kemi brenga për mosinkasim të mjaftueshëm, i cili nxjerr probleme të tjera në pagesën e obligimeve. Një sërë problemesh që kemi ngrit për moszbatim të kësaj marrëveshje”, ka deklaruar ai.

Bislimi ka thënë se në takim me Lajçakun diskutuan edhe për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, çështje për të cilën tha se u kritikua BE-ja.

“Pala kosovare mendon se Serbia në vazhdimësi po e saboton zbatimit e deklaratës së Kurtit dhe Vuçiqit. Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka treguar se Kosova po ec me detyrimet e saj, kurse Serbia ka zero angazhim. Ka kritikuar ashpër BE-në për mungesë totale të interesimit që të ecet para me marrëveshjen për të pagjeturit”, ka shtuar zëvendëskryeministri.

Kryenegociatori ka thënë se është diskutuar edhe për hapjen e dy vendkalimeve të reja kufitare me Serbinë, ndërsa kanë kërkuar që të hapen edhe dy shtesë gjatë sezones së verës. Për këtë, BE-ja do të përgatit propozim final.

Bislimi s’pret takim të radhës derisa pas pushimeve verore.


Lajçak: U dakorduam për një sërë hapash

Pas takimit ka shkruar edhe emisari BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. 

Ai ka thënë se me Bislimin e Petkoviqin kanë rënë dakord për një sërë hapash. 

“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislmi dhe drejtorin Petar Petkoviq. Ne diskutuam një shumë çështje dhe u dakorduam për një sërë hapash në vazhdim”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social X.

 

 


Petkoviq: Ne këmbëngulën në themelimin e Asociacionit

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se gjatë takimit pala serbe ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por ai ka thënë se Bislimi ka refuzuar që të diskutojë për atë.

"Beogradi ka konfirmuar se është gati të bisedojë për draft-statutin e Bashkësisë së komunave të hartuar nga BE-ja, dhe Bislimi refuzoi ta diskutojë atë, gjë që tregon se Prishtina nuk është e interesuar për formimin e Bashkësisë së komunave dhe për procesin e normalizimit", ka deklaruar Petkoviq, raporton Tanjug.

Lexo përditësimet tjera
Pamje nga takimi trepalësh në Bruksel

Bislimi: Serbia ishte e interesuar vetëm për Asociacionin